Disa arbitra të Superligës mund të pezullohen me 2 deri në 4 ndeshje, pas gabimeve të bëra në dy javët e fundit. Burime në Federatë pohojnë për ABC News se vendimi mund të merret këtë të enjte.
Gabimet natyrisht që ishin aty për t’u parë. Një analizë e dy javëve të fundit të Superligës, e mbajtur në Federatën Shqiptare të Futbollit, mund të sjellë ndëshkimet e radhës për ata që dikur quheshin “xhaketat e zeza”.
Sipas burimeve në Federatë, që folën për ABC News, disa nga arbitrat mund të marrin pezullime nga 2 deri në 4 javë në mbledhjen e Komisionit të Meritës, që pritet të mblidhet këtë të enjte, dhe ata që rrezikojnë janë Alla, Bastari e Jorgji.
Alla gaboi në ndeshjen Teuta-Bylis, duke mos dhënë 11-metërsh për skuadrën nga Ballshi, gjë që ndikoi direkt në rezultat, pasi durrsakët fituan minimalisht 1-0. Një tjetër arbitër që mund ta pësojë për dëmin e bërë ndaj Bylisit është Enea Jorgji.
Një nga më të mirët gjyqtarë në Shqipëri, Jorgji u akuzua për favorizim të Tiranës në duelin e javës së 18-të në “Selman Stërmasi”, ku që të dy golat e vendasve ishin me probleme. Cale preku topin me dorë në rrjetën e parë ndaj Bylisit dhe Ngoo po ashtu duket se e shtyu me duar topin në golin e fitores në sekondat e fundit.
Arbitri tjetër që rrezikon është Bastari për ndeshjen e javës së 18-të luajtur në Gjirokastër, mes Luftëtarit e Kukësit. Vendasve iu anulua një gol, i cilësuar si plotësisht i rregullt, dhe po ashtu ata pretenduan për 11-metërsh, ndërsa sfida përfundoi 0-0. /abcnews.al