Të moshuarit thonë se nuk dinë të aplikojnë online për pensionet, ISSH premton asistencë

schedule15:41 - 28 Janar, 2020

schedule 15:41 - 28 Janar, 2020

Rreth 16 mijë qytetarë në moshë pensioni do të aplikojnë online për të përfituar pension pleqërie gjatë këtij viti. Por shumë prej tyre nuk janë në gjendje të hyjnë në internet. Sipas tyre aplikimi duhet të vijojë të bëhet në mënyrë tradicionale me dokumenta.

“Nuk di të aplikoj, ne duam të shkojmë ti marrim dhe të vendosim firmën”, thotë një pensioniste.

Por ka edhe nga ato pensioniste që kanë aplikuar  me ndihmën e njerëzve të afërt.

“Nuk mar vesh unë online, edhe pse aplikova nuk kam marrë një përgjigje”, shprehet e moshuara, ndrësa një tjetër qytetare tregon se aplikimin ia ka bërë nusja sepse vetë nuk dinë se si përdoret.

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado sqaron se personat që janë në moshë pensioni dhe nuk mund të aplikojnë nëpërmjet internetit do të asistohen nga ky institiucion.

“Në këto tre katër javë që po aplikohet kjo lloj procedure, pensionistët po asistohen nga punonjësit tanë. Të gjitha atë pensionistë që nuk munden ti bëjnë vetë, e gjejnë derën të hapur”, u shpreh Hado.

Ndërkohë për personat që nuk kanë mundësi të dorëzojnë dokumentat elektronikisht ekziston përsëri mundësia që të aplikojnë me dokumenta fizikë.

“Krahas aplikimit onlinë një lehtësim tjetër që bëhet është numri i dokumenteve që duhet të sjellin. Në ato vende ku nuk kanë pasur mundësi për të aplikuar i kanë sjellë dokumentet si më parë”, tha më tej Hado.

Janë rreth 37 shërbime pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore të cilat që nga 1 janari ofrohen online për të gjithë qytetarët midis të cilëve mund të përmendim pensionin e pleqërisë, të invaliditetit ose pension i ushtarakëve./abcnews.al