Në një moment që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijon procesi për shkarkimin e presidentit amerikan Trump, ish këshilltari i tij për sigurinë kombëtare John Bolton, e akuzon atë publikisht.
Në një libër që pritet të publikohet së shpejti Bolton këmbëngul se Trump i ka lidhur ndihmat ndaj Ukrainës me hetimet ndaj Biden dhe demokratëve të tjerë amerikanë.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka thënë këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare se dëshironte të ndalonte ndihmat ushtarake për Ukrainën deri kur Kiev ta ndihmonte për të hetuar Biden dhe demokratëve amerikanë.
Lajmi raportohet nga New York Times i cili citon një pjesë të librit ende të pabulikuar të ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton.
Një tezë që duket se konfirmon akuzëne demokratëve në procesin për shkarkimin e presidentit amerikan.
Bolton, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë një ditë para se Trump të lejonte ndihmat për Ukrainën në 11 shtator, ka thënë se është i gatshëm të dëshmojë, pavarësisht urdhërit të presidentit që ndalon këshilltarët e tij që të bashkëpunojnë në këtë proces.
Në këtë pikë demokratët në kongres kërkojnë që Bolton të dëshmojë në procesin për shkarkimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Me anë të një reagimi në profilin e tij në Twitter, Trump ka reaguar duke këmbëngulur se nuk i ka thënë asnjëherë John Bolton se ndihmat për Ukrainën lidheshin me hetimet për demokratët, përfshirë Biden.
Ai shton se në të vërtetë nuk është ankuar asnjëherë për këtë në momentin që u pushua publikisht nga puna.
“Nëse John Bolton e ka thënë këtë, e ka bërë vetëm për të shitur librin,” theksoi presidenti amerikan Trump./abcnews.al