Më në fund telenovela e mesfushorit të Interit, Matteo Politano, është drejt aktit final. Italiani flitej se do të transferohej te Roma, madje ai kaloi dhe vizitat mjekësore në kryeqytet. Në fund u bllokua gjithçka. Shkak ishte se klubi zikaltër kërkoi më shumë teste mjekësore për mbrojtësin e Romës, Leandro Spinazzola, i cili ishte pjesë e marrëveshjes mes klubeve.
Sipas raportimit nga “Corriere dello Sport”, e ardhmja e Politanos do të jetë në jug të Italisë. Është Napoli i Gennaro Gattusos ai që është shumë pranë firmës me mesfushorin. Napoletanët po mendojnë shitjen e spanjollit Callejon dhe Matteo shikohet si njeriu i duhur për ta zëvendësuar atë.
Deri në këto momente flitet se transferimi i tij do ti kushtojë Napolit 25 milionë €. Politano do të firmosë për 3 vite e gjysmë me Napolin, ndërsa paga e tij ende nuk dihet. Lojtari i lindur në Romë numëron 252 minuta në Seria A këtë sezon me fanellën e Interit, shumë larg nga ajo që ai kërkon. /abcnews.al