Në rrugën e Barrikadave, një nga rrugët kryesore të kryeqytetit, strehohej një 27-vjeçar francez i dënuar për vrasje. Policia ka arritur ta arrestojë atë pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Burimet thanë se francezi kishte marrë një shtëpi me qira në kompleksin që ndodhet tek ish-kinema 17 Nentori.
Në njoftim thuhet se “Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, pas shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me Interpol Tiranën, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Barrikada”. Gjatë operacionit, në Rrugën e Barrikadave, në një banesë të marrë me qira, u bë e mundur kapja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, T. Q., 27 vjeç, lindur dhe banues në Nantes, Francë”.
Gjykata e Nantes, Francë, më datë 23.10.2019 ka caktuar prë 27 vjecarin masën e sigurisë ”Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Maksimumi i dënimit ”Burgim i përjetshëm”.
Ai dyshohet se ka vrarë me pistoletë një shtetas dhe më pas është larguar në drejtim të Shqipërisë, ku ka hyrë me dokumentacion të rregullt para se të shpallej në kërkim ndërkombëtar. Ngjarja ka ndodhur në 2019 në Nantes të Francës.
Policia tha se “materialet e arrestimit, me qëllim ekstradimin e tij drejt Francës, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”. /abcnews.al