Santi Cazorla: Shpresoj të rikthehem tek Arsenali, kam vetëm një peng

schedule08:44 - 24 Janar, 2020

schedule 08:44 - 24 Janar, 2020

Santi Cazorla është një ndër futbollistët më të dashur në botën e futbollit. Fantazisti spanjoll ka bërë një karrierë të shkëlqyer dhe kur pësoi atë dëmtim të frikshëm në thembrën e Akilit, shumë menduan se nuk do të luante më futboll.

Madje, mjekët i thanë se do të ishte me fat nëse do të ecte sërish. Megjithatë, spanjolli u rikthye më i fortë se kurrë dhe po i befason të gjithë me fanellën e Villareal, duke bërë ndeshje të shkëlqyera. Cazorla ka folur për mediet spanjolle, duke thënë se ka vetëm një peng në karrierën e tij: Fakti që nuk është larguar në mënyrën e duhur nga Arsenali.

“Nuk e di nëse është e mundur apo jo, por dua të luaj edhe një ndeshje të fundit për Arsenalin para se të tërhiqem nga futbolli. Kam një peng të madh se nuk u largova në mënyrën e duhur. Arsenali është skuadra më e madhe me të cilën kam luajtur në karrierën time dhe jam shumë krenar. Thjesht do të doja një ndeshje të fundit dhe një mundësi për t’u larguar në mënyrën e duhur”, tha mes të tjerash Cazorla./abcnews.al