Mosha kalon dhe për të gjithë vjen momenti për t’u tërhequr nga futbolli. Antonio Nocerino është shembulli klasik i lojtarit që shpërthen vonë. Mesfushori italian zhvilloi sezonet më të bukura te Milani dhe Palermo, teksa u bë i famshëm me golat e shënuar falë asisteve të Ibrahimovic.
34-vjeçari mbylli aventurën me Beneventon e Pippo Inzaghit në dhjetor dhe ka vendosur të varë këpcuët në gozhdë. Nocerino ka vetëm falënderime në postimin e bërë në rrjetet sociale dhe thekson se në të ardhmen do e shohim si trajner.
“Erdhi momenti t’i them lamtumirë mikut tim më të madh dhe unik, futbollit. Një vendim i dhimbshëm, por i menduar mirë. E arrita kënaqësinë të realizoja ëndrrën e babait tim dhe timen. Dua të falënderoj prindërit e mi dhe motrën, të cilët më kanë ndihmuar të bëhem ky që jam me sakrificat dhe dashurinë e tyre.
Falënderoj gruan dhe fëmijët e mi, që janë dashuria më e madhe e jetës time. Falënderime edhe për trajnerët, shokët e skuadrave nga të cilët kam mësuar shumë dhe tifozët, të cilët më kanë dhënë gjithmonë diçka më shumë me dashurinë dhe mbështetjen e tyre.
Kam vendosur të nis një karrierë të re, atë të trajnerit. Një sfidë e bukur, e re dhe e vështirë, por do e përjetoj me të njëjtin shpirt, pasion dhe profesionalizëm që kam pasur si futbollist“, përfundon Antonio Nocerino. /abcnews.al