“Kërcënimet për videon”, zv.ministrja thirrje Artan Hoxhës: Paraqitu pranë Policisë së Shtetit

schedule21:59 - 22 Janar, 2020

schedule 21:59 - 22 Janar, 2020

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda i bëri thirrje gazetarit Artan Hoxha të paraqitet në Policinë e Shtetit.

Ky apel i  zv.ministres në studion e “Byro Politike” vjen pas thirrjes së mëhershme që bëri sot gazetari, pasi publikoi videon e kryebashkiakut Lefter Alla duke konsumuar lëndë narkotike.

Hoxha i bëri thirrje policisë së Tiranës dhe Dibrës që të ketë në vigjilencë disa persona që kanë kërcënuar njerëz dhe familje që videoja në fjalë të mos publikohej.

Ndërsa Voda i kërkoi gazetarit që të japë sqarimet e tij se çfarë di për këto kërcënime në departamentin përkatës së policisë së shtetit.

“Sigurisht që kur bëhen paralajmërime të tilla askush nuk mund të qendrojë indiferent. Zoti Hoxha duhet të ketë besim te Policia e Shtetit dhe duhet të paraqitet personalisht para departamentit përkatës dhe duhet të japë sqarime të hollësishme për ato që di për kërcënimet. Se ndryshe jemi në moskallëzim krimi pastaj. Unë i bëj thirrje që të paraqitet para Policisë së Shtetit. Vetëm kështu ne mund të ndihmojmë policinë e shtetit. Ky është mesazhi që unë jap për zotin Hoxha por edhe për të gjithë kryebashkiakët”, tha Voda./abcnews.al