Belina Budini, Dekane e Shkencave të Komunikimit në UET, ishte e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Provokacija me Mustafa Nanon.
Budini bëri një rezyme të përgjithshme se çfarë ka përfshirë në librin e saj më të fundit të cilin e ka quajtur “ Ndikuesit” ose “Influencers”.
Budini tha se ky libër ka përmbledhur intervista të disa prej gazetarëve të njohur në vend, të cilët i kanë dhënë në disa prej forumeve universitare.
Në përzgjedhjen e intervistave të gazetarëve, profesoresha e Shkencave të Komunikimit, ka patur parasysh faktorë të influencës, të ndikimit dhe protagonizmit të lartë publik që gazetarët kanë.
Po ashtu Prof. Budini tha se gazetarët ishin më interesantë, në intervistat e realizuara në versionin e folur, se sa në atë të shkruar.
E pyetur nga gazetari Mustafa Nano se cilët nga gazetarët do të veçonte për stilin e të shkruarit, profesoresha u përgjigj se ka disa të preferuar.
“Në fakt po flisja për tekstin. Teksti mund të jetë i shkruar, por edhe i folur, por për dinamika të tjera si psh, të performancës televizive, të natyrës, të ritmit etj, mendoj që ka shumë të mirë, dhe ju keni rivalë në këtë aspekt”, tha Budini.
Sipas Budinit disa prej analistëve dhe gazetarëve në Shqipëri janë influentë dhe ndikues për publikun, madje duke cituar dhe gazetarin Andi Bejtja, Budini tha:
“Ndikimi që kam konsideruar në librin tim është ai mbi politikanët, institucionet. Binomi që kam shqyrtuar aty është media-politikë, pra gazetarë-politikanë. Përballë politikanëve, gazetarët janë shpesh në një rrjetë marrëdhëniesh të dyanshme, të tipit ndikues dhe ndërveprues me njëri-tjetrin. Po të citoja Andi Bejtjan ai është kritik në këtë aspekt, ai thotë që ka gazetarë që punojnë për të fshehur çështje me dinamika të caktuara, pra bëjnë një temë e cila nuk është temë dite duke shmangur vëmendjen e çështjeve kryesore”, tha ajo. /abcnews.al