Sot është 100 vjetori i Kongresit të Lushnjes, ngjarje e rëndësishme historike ku u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Presidenti i vendit, Ilir Meta marrë shkas nga kjo ngjarje shprehet se “100 vjet më vonë, vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të ecur në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë për të mbrojtur vlerat reale dhe pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar”.
Po kështu ai bën thirrje për bashkim mes politikanëve, duke u shprehur: “Koha i thirri burrat e shquar atdhetarë shqiptarë me bindje të ndryshme politike në vitin 1920 për t’i vënë mendjen dhe energjitë e tyre në shërbim të kombit e për të shpëtuar Shqipërinë”.
Statusi i plotë i Metës në facebook
Kongresi i Lushnjës, 100-vjetorin e të cilit festojmë sot, është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Kongresi i Lushnjës rithemeloi shtetin e pavarur, riformatoi institucionet shtetërore dhe vetëqeverisëse të tij, krijoi Kushtetutën e parë të vendit, zgjodhi të parën trupë legjislative mbi baza pluraliste, dhe shprehu vendosmërinë e të gjithë shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.
100 vjet më vonë, vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të ecur në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë për të mbrojtur vlerat reale dhe pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar.
Koha i thirri burrat e shquar atdhetarë shqiptarë me bindje të ndryshme politike në vitin 1920 për t’i vënë mendjen dhe energjitë e tyre në shërbim të kombit e për të shpëtuar Shqipërinë.
Nderimi për ta e për veprën e tyre është sot obligim, por edhe një detyrë që në emër të idealeve që frymëzuan ata, të ecet drejt për ta bërë atdheun tonë një vend të qëndrueshëm dhe frymëzues për brezat e rinj, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, në një Shqipëri demokratike dhe anëtare të Bashkimit Europian.
***
Kongresi i Lushnjes, që njihet si një ngjarje e madhe e historisë së kombit tonë u mbajt prej 21-deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Gjatë ditëve të punimeve Kongresi zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.