Ndarja e politikës nga krimi, ish-anëtari i KQZ: Zgjidhet nga vullneti i partive

schedule15:24 - 17 Janar, 2020

schedule 15:24 - 17 Janar, 2020

PS dhe PD nuk e kanë ndryshimin e sistemit zgjedhor prioritet i kompromisit të fundit politik, ndërsa opozita ngul këmbë për ndryshime ligjore që do të mbajnë përfundimisht larg krimin nga politika.

Për ish anëtarin e KQZ_së, Hysen Osmani, pak mund të bëjë ligji në këtë drejtim, dhe ajo që i pret krahët krimit mund të jetë vetëm vullneti politik.

“Është vullneti politik i qeverisë dhe vullneti politik i forcave konkurruese. Këto dyja janë faktorët kryesorë për minimizimin e korrupsionit dhe krimit zgjedhor”, tha Hysen Osmani.

Osmani thotë se, që Shqipëria të organizojë zgjedhje të lira e të pranueshme, duhen ndërhyrje në Kushtetutë.

“Duhet të ndryshohet Kushtetuta, marrim shembull nga Maqedonia e cila e ka në Kushtetutë që pesë muaj para datës së zgjedhjeve qeveria jep dorëheqjen dhe krijohet një qeveri teknike për të krijuar procesin zgjedhor”, u shpreh ai.

Kjo edhe në kushtet kur klima e acaruar politike në vend nuk e lehtëson situatën.

“Në këto momente ku jemi para një krize të gjithanshme, qoftë politike ekonomike apo shoqërore, mendoj që ne duhet të krijojmë një qeveri teknike për ta kaluar vendin në zgjedhje”, tha më tej Osmani.

Por cilat janë format e shfaqjes së krimit në zgjedhje.

“Krimi zgjedhor shfaqet në disa forma gjatë procesit zgjedhor, siç  është shitblerja e votës, jo vetëm ai që  blen por edhe ai që e shet. Intimidimi i zgjedhësve nga të fortit ose bota e krimit dhe financimi i forcave politike nga bota e krimit”, u shpreh Osmani.

Një krizë politike u mbyll në vitin 2015, kur PS e PD miratuan ligjin për dekriminalizimin. Ndërsa një përpjekje më e thellë e Partisë Demokratike, ajo e Vettingut në politikë, u rrëzua nga mazhoranca me përkrahjen e Komisionit të Venecias./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!