Pamje eksluzive të marra dhe të verifikuara nga New York Times tregojnë se avioni ukrainas me 176 persona në bord, është goditur nga dy raketa brenda 30 sekondash.
Sipas New York Times, raketat janë lëshuar nga një bazë iraniane rreth 12 kilometra larg avionit. Pamjet e reja shpjegojnë dhe faktin se pse transmetuesi i avionit nuk funksiononte më para se të goditej nga raketa e dytë.
Pamjet janë regjistruar nga një kamera sigurie. Fillimisht u publikuan në Twitter nga gazetari Babak Taghvaee, i cili shpjegon në rrjetin social se atë natë ishte dhënë urdhër për të qëlluar kundër cdo objekti fluturues që vinte nga drejtimi juglindje në lidhje me bazën.
Video më pas u verifikua nga ekipi investigative i New York Times.
Ndërkohë është arrestuar në Iran personi që ka filmuar pamjet, të cilat u publikuan më pas në rrjetet sociale, ku shihet një raketë iraniane në momentin që godet avionin ukrainas.
Një burim nga selia e përgjithshme e rojeve revolucionare shpjegoi se autori i filmimit është arrestuar në kuadër të hetimeve që kanë cuar në pranga dhe persona të tjerë të lidhur me incidentin ajror./abcnews.al

