Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ishte me banorë dhe përfaqësues të biznesit fason në Durrës për të parë situatën pas tërmetit. Banorët flasin për pamundësi për të siguruar qeranë për shkak se nuk kanë marrë bonus nga bashkia.
Basha foli edhe për zgjidhje për biznesin, duke kërkuar nga qeveria të përjashtojë nga taksat dhe detyrimet të gjithë subjektet e prekura nga tërmeti.
Edhe pse kanë kaluar afro 2 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, banorë që humbën banesat e tyre ankohen se nuk janë trajtuar financiarisht nga bashkia e Durrësit. Në një takim me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha qytetarët flasin për pamundësi për të paguar qeratë e banesave të reja.
“I kemi vendosur te noteri të gjitha, nuk japin zgjidhje vetëm mashtrime”, shprehen qytetarët.
Shqetësim për gjendjen pas tërmetit shprehen edhe përfaqësues të biznesit. Sipas punonjësve të këtij biznesi fason vëmendja e shtetit mungon ndërkohë që pronarët paralajmërojnë se po shkojnë drejtë falimentimit.
Për Bashën zgjidhjet e qeverisë janë, por vullneti mungon.
“Kush thotë që nuk ka zgjidhje kërkon t’ju mbajë sërish në këtë gjendje. Duke ulur koston e biznesit japim mundësinë edhe të jetë konkurues edhe të plotësojë kushtet”, tha Basha.
Për demokratët, situata pas tërmetit po përdoret për propagandë nga qeveria ndërkohë që banorët e prekur nga tërmeti vijojnë të jenë në qiell të hapur./abcnews.al