Ish- deputetja e PD, Albana Vokshi në një deklaratë për shtyp nga selia e PD tha se Rama do që të kalojë me nxitim paketën Anti- shpifje për të fshehur të vërtetën e bashkëqeverisjes.
Vokshi theksoi edhe njëherë se PD do e anulojë menjëherë sapo të vijë në pushtet. Vendimin e Presidentit për ta rikthyer në Kuvend Ligjin, Vokshi e cilëson si të drejtë.
Deklarata e plotë:
Kthimi i dy ligjeve të censurës së medias online nga Presidenti i Republikës, është një hap i duhur në mbrojtje të fjalës së lirë.
Ky është një vendim i drejtë, që, një kryeministër normal do ta shikonte si mundësi për t’i tërhequr ligjet antidemokratike. Por të gjithë e dimë mirë, se Edi Rama nuk ka për ta bërë këtë. Ai e ka sot jetike mbylljen e gojës së mediave, sidomos ato kritike online. Misioni i Edi Ramës është të censurojë të vërtetën e keqqeverisjes së tij dhe bashkëdrejtimin e vendit me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh.
Edi Rama e ka sot jetike te fshehë të vërtetën e një krize të rëndë ekonomike, që ka përfshirë vendin, të vërteten për mijëra familje që janë në të ftohtë, pa strehë, pa ujë, pa drita, pa ngrohje, pa ilaçe e pa vakte të plota për fëmijët e tyre.
Sot, kur duhet të dalin para drejtësisë zyrtarë të kësaj qeverie përgjegjës për 24 jetët e humbura në Thumanë, Edi Rama e ka domosdoshmëri të fshehë të çdo gjurme të krimit shtetëror, duke censuruar median.
Edi Ramës i duhet censura ndërsa po përgatit vjedhjen e rradhës, këtë herë përmes koncesioneve e tenderave mbi rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.
Në kohën kur njeri pas tjetrit po faktohen me të shkuar kriminale personat e emëruar prej Edi Ramës në krye të Bashkive, ai e ka domosdoshmëri censurën me ligj të mediave.
Sot kur drejtësia duhet të veprojë për të dënuar zyrtarët e përfshirë në blerje votash, lidhjet me krimin, që janë kushtet e Bundestagut për hapjen e negociatave, Edi Ramës i duhet një mekanizëm ndëshkimi për këdo që thotë të vërtetën.
Në kohën kur i duhet të përmbushë detyrimet e Bundestagut për hapjen e negociatave, duke nisur me reformën zgjedhore që i hap rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, Ramës i duhet vetëm propaganda e tij dhe heshtja e çdo ujt që thotë të vërtetën për aferat korruptive apo lidhjet e qeverisë më krimin.
Për këto e shumë afera të tjera që rëndojnë mbi këtë qeveri, Edi Rama do të kërkojë ta miratojë me shpejtësi dhe pa asnjë ndryshim këtë ligj të kthyer nga Presidenti.
Asnjë ligj censure nuk do të arrijë të fshehë të vërtetat e korrupsionit, krimit, varfërisë dhe mjerimit që ka mbërthyer Shqipërinë.
Partia Demokratike i konsideron këto dy ligje si antikushtetues, që shkelin konventat ndërkombëtare, që censurojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e qytetarëve për informim.
Duke inkurajuar gazetarët të mos tremben nga censura qeveritare, Partia Demokratike angazhohet për të anulluar këto dy ligje në momentin e parë që ajo do të ketë besimin për të qeverisur vendin.
/abcnews.al