Koalicioni mes LDK-së dhe Vetëvendosjes duket se së shpejti do të jetë gati.Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli këtë të hënë është shprehur optimist se koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje do të arrihet, por thotë se kjo bëhet vetëm me balancim të ndarjes së pushteteve.
Avdyli pas takimit me ish-shefin e OSBE, William Walker është shprehur se pozita e kryeparlamentarit për LDK nuk është pengesë, pasi mund të gjenden formula të tjera.
“Nënkryetarja Vjosa Osmani e informoi për angazhimin e LDK-së që sa më shpejt të ndodhë koalicioni i cili është votuar nga shumica e qytetarëve. Besojmë shumë që ky koalicion do të ndodhë. E kuptojmë frustrimin e qytetarëve për vonesat, për këto janë diskutimet që ndodhin edhe në shtetet demokratike. Përfundimi i këtij koalicioni do të jetë në të mirë të qytetarëve. Ku do të ketë balancimi i pushteteve”, tha ai.
Gjithahstu deputeti I LDK-së ka pranuar se diskutimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike janë në fazën përfundimtare dhe se kanë mbetur edhe disa detaje për t’u diskutuar.
Ndërkohë sa i përket pozitës së kryeparlamentarit, Avdyli tha zgjedhja e Glauk Konjufcës nuk është pengesë drejt arritjes së koalicionit pasi mund të gjenden formula të tjera.