Debati për krijimin e një trupe xhandarmërie në Shqipëri është rikthyer në vëmendje pas episodeve të dhunshme gjatë protestave të fundit në kryeqytet.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, e cilësoi atë që ndodhi si një sulm të organizuar, me synim destabilizimin e vendit, duke ngritur si alternativë krijimin e një trupe të specializuar, të stërvitur në mënyrë të vazhdueshme, ngjashëm me modelin e Kosovës.
Ervin Karamuço: Ishte një sulm që zgjati 2 javë. Një grup protestuesish që nuk ishin si të tjerët, nuk erdhën për të protestuar, por për të destabilizuar vendin, një vend anëtar të NATO-s. Disa kthyen kokën nga ushtria, sepse situata ishte kaotike. Ne kemi disa skuadra sulmesh të mira në ushtrinë tonë në Shqipëri. A ka ardhur koha si Kosova, që të kemi një trupë të stërvitet gjatë gjithë kohës, të jetë njësoj si xhandarmëria?
Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, konfirmoi se ngritja e xhandarmërisë është diskutuar disa herë, duke theksuar se ngjarjet e fundit dëshmuan një dhunë të organizuar dhe jo një protestë të zakonshme. Ai vlerësoi gjithashtu punën e Policisë së Shtetit në menaxhimin e situatës.
Ermal Nufi: Është diskutuar disa herë që të ngrihet xhandarmëria, por është e nevojshme që të jetë një ndarje e mirë të territorit. Ajo që pamë ishte një dhunë e organizuara, jo protestë, ishte një dorë e huaj. U menaxhua nga policia e Shtetit, me një punë të jashtëzakonshme. Është i vetmi shtet që ka më shumë policë të dëmtuar se sa protestues.



