Sipas saj, të rinjtë pas diplomimit ende nuk e kanë përcaktuar se ku do të jetojnë dhe punojnë, pasi kjo varet edhe nga mundësitë në tregun e punës. Nunaj theksoi gjithashtu se rritja e kostos së jetesës dhe pasiguria për të ardhurat e ardhshme e bëjnë më të vështirë marrjen dhe shlyerjen e një kredie për blerjen e banesës.
“Për studentët, nëse i referohemi praktikave në vende të tjera, studentët në momentin e diplomimit nuk e kanë vendosur ende se ku do të qëndrojnë. Kur merr një vendim për të blerë apartament, përmes një kredie të butë ose individuale, do të thotë që ke vendosur të jetosh dhe të punosh në Tiranë. Ndërkohë, një student ende nuk e ka përcaktuar vendin e tij dhe kjo varet nga tregu i punës.
Unë gjykoj që të parët që duhen mbështetur janë familjet që kanë krijuar bërthamën e tyre. I sapodiplomuari është në kërkim të tregjeve gjithë kohës. Edhe në vendet e BE-së, nëse ka të rinj që duan të blejnë një banesë, kjo mbështetje vjen edhe nga prindërit. Së pari, kostoja e jetesës është në rritje dhe, së dyti, janë breza që kanë periudha pune pa një garanci se do ta shlyejnë gjithmonë kredinë.”



