Komisioni Evropian dyshon se pas sulmit të gjerë kibernetik ndaj sistemeve të tij informatike qëndron një grup hakerash i lidhur me Kinën. Sulmi, i cili vijon të prekë infrastrukturën elektronike të institucionit, dyshohet se është kryer nga një rrjet i njohur në qarqet e sigurisë kibernetike me emrin e koduar “Panda”.
Sipas burimeve që kanë dijeni për hetimin, ky emërtim përdoret për të identifikuar aktorë kibernetikë që dyshohet se mbështeten nga shtete të caktuara. Në këtë rast, dyshimet lidhen me Kinën.
Problemet u konstatuan fillimisht më 22 tetor, kur departamenti i teknologjisë dhe informacionit në Komisionin Evropian zbuloi aktivitet të dyshimtë në rrjetin e brendshëm të institucionit.
Afërsisht një muaj më vonë, situata u përshkallëzua, duke detyruar Komisionin të ndërmerrte masa për të ndaluar përhapjen e sulmit. Si pjesë e këtyre masave, të shtunën u çaktivizua edhe faqja online e Akademisë së BE-së.
Kjo platformë shërben për ofrimin e programeve të trajnimit dhe zhvillimit profesional për të rinjtë.
Në një deklaratë zyrtare, Akademia bëri të ditur se çështja vijon të hetohet, ndërsa aksesi publik në platformë është pezulluar. Sipas institucionit, janë aktivizuar masa të ndryshme sigurie, si kontrollet për identifikimin e kërcënimeve dhe mekanizmat për parandalimin e dëmeve të mëtejshme.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka pranuar se gjatë incidentit janë ekspozuar disa të dhëna personale, konkretisht emra dhe adresa elektronike. Për këtë arsye, përdoruesit janë paralajmëruar për rrezikun e përpjekjeve të tjera për të siguruar informacione personale.
Deri më tani, ekspertët e sigurisë kibernetike të BE-së nuk kanë konfirmuar nëse janë marrë të dhënat e punonjësve të Komisionit. Megjithatë, për arsye parandaluese, disa aplikacione të brendshme janë nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit.
Sipas vlerësimeve paraprake, qëllimi i sulmuesve mund të mos ketë qenë goditja e një sistemi apo personi të caktuar. Dyshimet janë se grupi ka synuar të testojë nivelin e aksesit që mund të fitonte dhe shkallën e depërtimit në rrjetin e brendshëm të Komisionit.
Dyshimet për lidhjet me strukturat kineze të sigurisë mbështeten edhe te kompleksiteti teknik i operacionit, si dhe te përdorimi i mjetit ARTEX. Ky i fundit, i prodhuar në Kinë, përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar dobësitë dhe pikat e cenueshme në sistemet informatike.
Megjithatë, hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e saktë për sulmin dhe përmasat e plota të dëmit janë ende në zhvillim.



