Ka histori që nuk tregohen vetëm me fjalë, por edhe me këngë. E tillë është historia e Eduart Demës, këngëtarit vlonjat që ka zgjedhur muzikën popullore të jugut dhe këngën labe si mënyrë për të ruajtur rrënjët dhe për të përcjellë emocionet e tij. Dashurinë për muzikën e trashëgoi nga nëna, ndërsa u rrit në një mjedis ku kënga ishte pjesë e çdo feste, dasme dhe mbledhjeje familjare. Edhe pse u largua drejt Greqisë në vitin 1995, pasioni për të kënduar nuk e la asnjëherë.
Ishte pikërisht emigracioni që i hapi dyert e para drejt skenës. Frekuentimi i buzukeve greke dhe inkurajimi i miqve e ndihmuan të kapërcente ndrojtjen dhe emocionet e fillimit. Më pas, nga viti 2008 deri në vitin 2010, studioi për kanto në Akademinë e Arteve në Athinë. Prej vitit 2009 është pranë publikut, duke ndërtuar një repertor të lidhur ngushtë me traditën vlonjate dhe muzikën popullore të jugut. Rreth 20 vite i kaloi në Greqi, ndërsa prej më shumë se një dekade jeton mes Londrës dhe Shqipërisë, pa e shkëputur asnjëherë lidhjen me vendlindjen.
Për të, një këngë e bukur nuk mjafton të ketë vetëm një melodi tërheqëse. Ajo duhet të tregojë një histori, të ketë fabul dhe të përcjellë një mesazh ku dëgjuesi të gjejë veten. Këtë filozofi e ka sjellë edhe në krijimet e tij, si në bashkëpunimin humoristik “Dajo dhe Xhaxhai” me parodistët e Vlorës. Një tjetër dimension emocional ka klipi “Ku ta gjej”, kushtuar babait dhe mallit për të. Një këngë që prek veçanërisht ata që jetojnë larg familjes dhe vendlindjes, sepse dhimbjen e mungesës e kupton më mirë ai që e ka përjetuar.
Por pas artistit është edhe një histori dashurie e veçantë. Me bashkëshorten, gazetare me profesion, u njoh në një radio dhe që prej vitit 2010 ndajnë jetën së bashku, duke rritur tre fëmijët e tyre.
Për Eduart Demën, muzika nuk është thjesht profesion, por identitet, kujtesë dhe një mënyrë për të mos harruar kurrë nga vjen. Një zë që, edhe përtej kufijve, vazhdon të këndojë për Vlorën, traditën dhe mallin shqiptar.



