Saimir Patushi ka qenë një nga mesfushorët më të mirë dhe potentë të viteve 2000. Matjani provoi të luante dhe fitonte me Vllazninë dhe Tiranën, teksa ka rrëfyer një detaj interesant në prononcimin e dhënë për Panorama Sport.
43-vjeçari sheh vetëm tre skuadra në luftë për titullin, tregon se kush lojtar e ka surprizuar, zbulon dy trajnerët më të mirë dhe konfirmon atë që shprehu disa ditë më parë Agustin Kola gjatë kohës që ishte trajner i bardhebluve.
“Në futbollin tonë, presidentët ndërhyjnë dhe trajnerët pranojnë. Trajnerët shqiptarë dëgjojnë për çdo gjë presidentin. Edhe mua më ka ndërhyrë Refik Halili. Në vitin 2009, më ka ardhur në pushim të ndeshjes kundër Besës dhe më tha: ‘Hiq Patushin dhe fut Sefën’. I thashë që këtu përgjigjem unë dhe do të bëj atë që do futbolli. Fituam 2-0 dhe presidenti më përgëzoi dhe festoi bashkë me mua”, u shpreh Agustin Kola.
Patushi e mban mend si episod dhe e ka konfirmuar diçka të tillë. “E mbaj mend shumë mirë. Ka ndodhur pas një pjesë të parë të dobët të ekipit. E veçanta ishte se ne nuk dorëzoheshim dhe Agustini (Kola) e përcillte te ne. Presidenti Halili nxitohej dhe më pas bëhej pishman. Mesa di unë, në rastin tim ka kërkuar falje te trajneri dhe i ka thënë: ‘Të përgëzoj për këtë gjë’, sepse Kola nuk e pranoi urdhrin e tij.
Titulli kampion? Pothuajse të gjitha ekipet janë në një hap dhe është luftë e barabartë. Janë tri ekipe për titull: Tirana, Kukësi dhe Partizani.
Surpriza? Nuk është se më ka lënë shije të mirë ndonjë futbollist, nuk ka ndonjë element cilësor. Është Muçi i Tiranës, i cili u pa në dy ndeshjet e fundit. Do Zoti është me këmbë në tokë dhe jo nga ata që fluturojnë shpejt. Nëse punon shumë, mund të jetë surpriza e kampionatit.
Trajneri më i mirë? Janë dy, edhe pse kam kaluar jashtëzakonisht trajnerë. I pari është Aurel Veria, ndërsa i dyti është Fatmir Frashëri. Ky i fundit zotëri burrë, njeri i jashtëzakonshëm. Ishte i vetmi që thoshte dhe ishte me lojtarët. ‘Unë jam me lojtarët’, i thoshte drejtuesve“, përfundon Saimir Patushi. /abcnews.al