Pas një seance maratonë, Kuvendi ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2027 me 80 vota pro dhe 25 kundër, duke i hapur rrugë vijimit të procedurave parlamentare për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Buxheti i vitit 2027 parashikohet të jetë rreth 10 miliardë euro, duke u cilësuar si buxheti më i madh ndonjëherë në vend.
Gjatë votimit, deputeti socialist Erion Braçe ka votuar pro projektbuxhetit, ndërsa deputetja Elisa Spiropali ka munguar në seancë.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, mazhoranca e ka cilësuar projektbuxhetin si një buxhet me fokus social, që synon mbështetjen e pensionistëve, familjeve, shtresave në nevojë dhe bizneseve.
Në fokus janë gjithashtu investimet në infrastrukturë, shëndetësi, bujqësi dhe sektorin e turizmit.
Nga ana tjetër, opozita ka shprehur kundërshtitë e saj për parashikimet buxhetore dhe paketën fiskale.



