Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

FBI: Antifa, kërcënim kryesor në SHBA / Drejtori i Inteligjencës Kombëtare: Irani rrezikon jetët e amerikanëve

schedule23:08 - 18 Nëntor, 2026

schedule 23:08 - 18 Nëntor, 2026

Antifa vijon të konsiderohet një nga kërcënimet kryesore të sigurisë së brendshme në SHBA. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve mbi kërcënimet në mbarë botën raportuan Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, Kryetari i Komitetit të Sigurisë Kombëtare, Andrew Garbarino dhe Zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raia.

Ky i fundit u pyet se si e klasifikon FBI-ja terrorizmin e brendshëm dhe nëse aktualisht ka ndonjë organizatë që shihet si kërcënim i sigurisë së brendshme dhe përgjigjja e zëvendësdrejtorit të FBI-së ishte ANTIFA.
“Padyshim është rrjeti 764, dhe sigurisht e para që më vjen në mendje është ANTIFA”, tha zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raia.

Sa i takon organizatave të ekstremit të djathtë që konsiderohen si terroriste në SHBA, Zëvendësdrejtori i FBI-së zgjodhi të mos përmendte asnjë emër specifik, por deklaroi se padyshim edhe këto lëvizje konsiderohen nga autoritetet amerikane si terroriste.



Përpara ligjvënësve amerikanë, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, foli edhe për kërcënimin iranian, i cili, sipas tij, është rritur ndjeshëm, si brenda Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe në vende të tjera të botës.

“Kërcënimi i “komplotit vdekjeprurës” nga Irani si brenda, ashtu edhe jashtë Shteteve të Bashkuara është “rritur në mënyrë dramatike”. Ne mbetemi të përkushtuar për të zbuluar, penguar dhe luftuar komplotet vdekjeprurëse iraniane jashtë Shteteve të Bashkuara dhe brenda Shteteve të Bashkuara. Këto kërcënime janë rritur ndjeshëm. Gratë dhe burrat tanë jashtë vendit, gratë dhe burrat tanë këtu në Shtetet e Bashkuara, janë nën një kërcënim më të madh.”, tha drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton.

Drejtori i inteligjencës amerikane nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me raportimin e fundit nga CNN se inteligjenca amerikane ka mbledhur informacione që tregojnë se Irani po kryen planifikime për një sulm të mundshëm me bombë të ndyrë ose armë kimike në Uashington DC.

Gjatë seancës dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve, zyrtarët më të lartë të sigurisë amerikane u pyetën lidhur me rastet e njëpasnjëshme të ndërprerjeve teknologjike në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët përjashtuan mundësinë që seria e ndërprerjeve teknologjike të jetë rezultat i një sulmi të koordinuar kibernetik apo i ndërhyrjes së një shteti të huaj. Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, deklaroi se incidentet që prekën aviacionin, bankat dhe sistemet qeveritare ishin të veçuara dhe të lidhura me probleme teknike e mirëmbajtjen.

“Këto janë ndërprerje të ndara të shërbimit që lidhen me mirëmbajtjen dhe ndryshimet teknike. Ato nuk janë një sulm i koordinuar ose i sponsorizuar nga shteti.”, tha Jay Clayton.

Edhe FBI-ja konfirmoi se deri në atë moment nuk kishte identifikuar aktivitet keqdashës kibernetik.

“Në këtë pikë, nuk ka asnjë tregues se ka ndonjë aktivitet keqdashës kibernetik që lidhet me ndonjë nga këto incidente.”, tha zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raia.

Pavarësisht këtyre deklaratave, zyrtarët më të lartë të sigurisë amerikane sqaruan se hetimet për këto incidente vijojnë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!