Papa Leoni XIV është rikthyer në një fshat të largët në malet e Andeve, në veri të Perusë, ku dikur shërbente si ipeshkëv. Gjatë vizitës, ai foli për vështirësitë me të cilat përballen banorët, duke u ndalur te emigrimi, varfëria dhe rënia e lindshmërisë.
Fshati Santa Cruz de Succhabamba ka rreth 6 mijë banorë, por vizita e Papës mblodhi rreth 20 mijë njerëz, sipas Vatikanit. Shumë prej tyre kishin udhëtuar nga zona të ndryshme për të takuar nga afër Atin e Shenjtë.
Gjatë një meshe në ambient të hapur, Papa ngriti shqetësimin për largimin e njerëzve nga vendlindja në kërkim të një jete më të mirë. Sipas tij, ky fenomen, së bashku me rënien e lindshmërisë, po çon në zbrazjen e fshatrave dhe po kërcënon të ardhmen e komuniteteve.
Situata ekonomike në këtë rajon është gjithashtu e vështirë. Mbi 40% e popullsisë së Cajamarca-s jeton në varfëri, ndërsa rreth 729 mijë persona të lindur në këtë zonë janë larguar dhe jetojnë në pjesë të tjera të Perusë.
Në fjalën e tij, Papa falënderoi të gjithë ata që kishin udhëtuar për ta takuar dhe u bëri thirrje të mos humbasin shpresën përballë vështirësive të jetës.
Leoni XIV shërbeu si ipeshkëv në Dioqezën e Chiclayo-s nga viti 2015 deri në vitin 2023 dhe gjatë kësaj kohe vizitonte disa herë në vit fshatin Santa Cruz. Rikthimi i tij u prit me këngë dhe brohoritje nga banorët, ndërsa më pas ai përshëndeti turmën nga automjeti papnor.
“Është si një ëndërr shumë e madhe që Zoti i ka mundësuar këtij shërbëtori të vijë këtu”, u shpreh Papa gjatë takimit me banorët.
Një prej priftërinjve të zonës, Kevin Noriega, tha për Reuters se vizita e Papës kishte sjellë emocione dhe shpresë të madhe për komunitetin. Ai kujtoi se banorët dikur e thërrisnin Leon XIV me emrin “Atë Robert” dhe se tani kishin mundësinë ta takonin sërish, por në një rol të ri, si kreun e Kishës Katolike.
Peruja është ndalesa më e gjatë e vizitës së parë të Papës në Amerikën Latine, që prej zgjedhjes së tij në maj të vitit 2025. Ai ka jetuar në Peru për periudha të gjata nga viti 1985 deri në vitin 2023 dhe në vitin 2015 mori edhe nënshtetësinë peruane.
Të dielën, Papa pritet të largohet nga Chiclayo për të vizituar Cusco-n dhe më pas një zonë të Amazonës peruane. Vizita e tij në Amerikën Latine do të përfundojë të hënën, kur do të rikthehet në Romë.


