Një tjetër moment historik për eksplorimin hapësinor, por jo pa vështirësi. Raketa gjigante u nis me sukses nga baza Starbase në Teksas dhe arriti të përmbushë një nga objektivat kryesorë të misionit: vendosjen në orbitën e ulët të Tokës të 26 satelitëve të rinj Starlink.
Megjithatë, një nga manovrat më të rëndësishme të fluturimit nuk u realizua. Rreth dy minuta e gjysmë pas nisjes, dy fazat e raketës u ndanë me sukses. Ndërsa anija Starship vijoi udhëtimin drejt orbitës, faza e parë, raketa shtytëse Super Heavy, nisi manovrat për t’u kthyer në bazën e nisjes.
Por SpaceX anuloi përpjekjen për ta kapur atë me krahët mekanikë të kullës Mechazilla. Në vend të kësaj, Super Heavy u drejtua drejt një uljeje të kontrolluar në ujërat e Gjirit të Meksikës. Arsyeja e anulimit të manovrës nuk u bë e ditur.
Pavarësisht këtij zhvillimi, misioni vijoi me sukses në pjesën tjetër të objektivave të tij. Por prova më e rëndësishme për anijen pritet gjatë fazës së kthimit në Tokë.
Pas rreth 22 orësh në hapësirë, Starship pritet të rikthehet në atmosferën e Tokës dhe të provojë një ulje vertikale të kontrolluar, me synimin për t’u kapur nga krahët mekanikë të kullës Mechazilla në Teksas.
Një manovër e tillë do të përbënte një tjetër hap të rëndësishëm për SpaceX, pasi kapja e Starship nga kulla pas një misioni orbital mbetet një sfidë e paprovuar.
Objektivi përfundimtar i kompanisë së Elon Musk është zhvillimi i një sistemi raketor plotësisht të ripërdorshëm, që do të ulte kostot e fluturimeve hapësinore dhe do të mundësonte misione më të shpeshta drejt Hënës dhe Marsit.


