Një datë, një orë e përcaktuar dhe një paralajmërim për 72 orë pa energji elektrike. Në rrjetet sociale po qarkullon një video që pretendon se më 17 nëntor bota do të mbetet në errësirë. Por sa e vërtetë është kjo histori dhe çfarë fshihet pas alarmit që ka shqetësuar mijëra njerëz?
Eksperti i tregjeve dhe politikave energjetike, Anduel Cekrezi, sqaron se pas këtij pretendimi nuk qëndron ndonjë plan për fikjen e rrjetit elektrik global. Testimet e sistemeve të alarmit emergjent në SHBA, përfshirë paralajmërimet në telefonat celularë, nuk kanë lidhje me ndërprerjen e energjisë elektrike.
Edhe rekomandimi për të pasur rezerva ushqimore, ujë dhe bateri për 72 orë është pjesë e këshillave të përgatitjes për emergjenca, jo një paralajmërim për një blackout të paralajmëruar.
Por a mund të ndodhë realisht një ndërprerje masive e energjisë? Blackout-et në Gadishullin Iberik dhe në rajonin e Ballkanit kanë treguar se edhe sistemet e zhvilluara energjetike mund të përballen me defekte serioze. Megjithatë, rrjetet elektrike kanë mekanizma mbrojtës që synojnë të kufizojnë përhapjen e avarive.
Një tjetër kërcënim që po merr gjithnjë e më shumë vëmendje janë sulmet kibernetike: a mundet një grup hakerash të paralizojë një central elektrik nga distanca? Sa të mbrojtura janë infrastruktura dhe sistemet energjetike shqiptare? Dhe mbi të gjitha, a ekziston vërtet një buton që mund të fikë të gjithë botën? Anduel Cekrezi ndan faktet nga teoritë që po ushqejnë panikun.



