Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Grevë masive në Spanjë, përplasje mes protestuesve dhe policisë në Barcelonë

schedule22:37 - 11 Nëntor, 2026

schedule 22:37 - 11 Nëntor, 2026

Spanja është përfshirë nga protesta masive dhe tensione të forta, pasi dhjetëra mijëra qytetarë iu bashkuan grevës së përgjithshme, e para e këtij lloji në vend pas 14 vitesh. Demonstratat, të organizuara nga sindikatat kryesore, kishin në fokus krizën e strehimit, rritjen e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike me të cilat po përballen familjet spanjolle.

Pjesëmarrja ishte veçanërisht e lartë në Madrid dhe Barcelonë. Sipas të dhënave, rreth 120 mijë persona protestuan në kryeqytet, ndërsa mbi 50 mijë të tjerë dolën në rrugët e Barcelonës.

Situata në Barcelonë u përshkallëzua gjatë mbrëmjes, kur grupe protestuesish u përplasën me forcat e rendit. Persona të maskuar dogjën kosha mbeturinash, dëmtuan vitrina biznesesh dhe shkaktuan zjarre në disa rrugë të qytetit. Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës, ndërsa forcat e sigurisë u vendosën në numër të shtuar, të pajisura me helmeta dhe mburoja kundër trazirave.



Incidentet u regjistruan kryesisht në zonën e Passeig de Gràcia, pranë sheshit të njohur Plaça de Catalunya. Sipas mediave spanjolle, disa persona hodhën fishekzjarrë në drejtim të policisë dhe përfituan nga kaosi për të plaçkitur dyqane.

Greva shkaktoi gjithashtu probleme të konsiderueshme në transportin publik dhe shërbimet e tjera në të gjithë vendin. Në Madrid dhe Barcelonë, qarkullimi u paralizua në disa akse kryesore rrugore, ndërsa ndërprerje u raportuan edhe në shërbime të tjera publike.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se dhjetëra persona përfunduan në pranga për përfshirje në incidente të ndryshme. Ndërkohë, raportimet e mediave vendase flasin edhe për sulme ndaj zyrave të agjencive imobiliare.

Pavarësisht tensioneve, drejtuesit e sindikatave e konsideruan protestën një sukses. Kreu i UGT-së, Pepe Álvarez, e përshkroi pjesëmarrjen si masive, ndërsa përfaqësuesi i CC OO-së, Unai Sordo, tha se numri i protestuesve ishte shumë i konsiderueshëm.

Mbështetësit e grevës shprehen se pakënaqësia lidhet kryesisht me pamundësinë për të përballuar kostot e jetesës dhe çmimet gjithnjë e më të larta të banesave.

Një prej protestuesve në Madrid i tha agjencisë Reuters se greva kishte arritur të bllokonte qytetin, duke theksuar se qytetarët kishin dalë në rrugë në numër të madh, pavarësisht motit me shi.

Ndërsa Olga Domingo, një mësuese 37-vjeçare, deklaroi se kishte marrë pjesë në protestë për shkak të shkurtimeve të vazhdueshme dhe krizës së strehimit. Sipas saj, raporti mes pagave dhe kostos së jetesës është bërë i papërballueshëm për qytetarët.

Një nga ngjarjet që ka nxitur zemërimin publik lidhet me rastin e Maricarmen Abascal, një gruaje 87-vjeçare, e cila u dëbua nga apartamenti në Madrid ku kishte jetuar për rreth 70 vjet. Ajo ndërroi jetë në spital disa javë pas dëbimit, duke u kthyer në një simbol të debatit për të drejtën e strehimit.

Presioni mbi tregun e banesave është veçanërisht i madh në kryeqytetin spanjoll. Sipas portalit të pasurive të paluajtshme Idealista, në muajin tetor qiraja mesatare mujore për një apartament prej 50 metrash katrorë në Madrid arriti në rreth 1,170 euro. Në të njëjtën kohë, paga mesatare mujore bruto në Spanjë vlerësohet në rreth 2,460 euro.

Kjo do të thotë se vetëm qiraja mund të përthithë afro gjysmën e pagës mesatare bruto, shumë më tepër se kufiri prej 30% të të ardhurave që ekspertët e konsiderojnë përgjithësisht të përballueshëm për shpenzimet e strehimit.

Kriza politike është shtuar gjithashtu pas vendimit të kryeministrit socialist Pedro Sánchez për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi parlamenti nuk arriti të miratonte planin e tij për reformën në sektorin e strehimit. Spanjollët pritet t’u drejtohen kutive të votimit më 29 nëntor.

Greva e fundit shënon një moment të rëndësishëm për lëvizjen sindikaliste në Spanjë, e cila nuk kishte organizuar një grevë të përgjithshme që prej vitit 2012, gjatë qeverisjes së konservatorit Mariano Rajoy.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!