Me një urdhëresë të brendshme të debatueshme, Gjykata Kushtetuese lejoi futjen e misionit vëzhgues ndërkombëtar në mbledhjet e saj vendimmarrëse. Këta ndërkombëtarë, autorë të vetingut, do të jenë të pranishëm në seancat ankimore të magjistratëve, të cilët kërkojnë rikthimin në vendet e tyre të punës pas fitimit të seancës në Strasburg.
Avokati Bledar Dervishaj ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke ngritur pikëpyetje mbi bazën ligjore dhe kushtetuese që i mundëson ONM-së të vijojë të jetë pjesë e këtyre procedurave, edhe pse procesi i vetingut ka përfunduar.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk mund të krijojë mekanizma të rinj pa një bazë të përcaktuar ligjore dhe, nëse ka konstatuar një vakum kushtetues, duhet t’i ishte drejtuar Kuvendit për zgjidhjen e tij.
“Çfarë beteje është bërë për Gjykatën Kushtetuese? Pse për këtë Gjykatë Kushtetuese duhet të lumturoheshin të gjithë?
Nuk di një shtrat kushtetues ku të shkruhet që ONM-ja, pasi përfundon vetingun, qëndron.
Nëse Gjykata Kushtetuese ka dashur të plotësojë një vakum kushtetues, duhet t’ia thoshte Kuvendit. Nuk i rivendos dot në proces. Ku është e shkruar që ONM-ja merr pjesë në proces? Nuk ka shtrat ligjor as kushtetues.
Nga kush i erdhi kjo nevojë Gjykatës Kushtetuese? Kush ia kërkoi?
Gjykata Kushtetuese, kur konstatohen shkelje nga Gjykata Evropiane, është e detyruar ta hapë çështjen.”


