“Jemi nisur drejt Shishtavecit të Kukësit ende pa gdhirë, sepse puna nis ende herët për një pjesë të banorëve të kësaj zone”.
Pas 3 orëve rrugë mbërritëm në Shishtavec. Këtu na pret Jelen Hoxha, mes staneve dhe bjeshkëve. Nuk kemi kohë për të humbur, se na presin bagëtitë. Lamë Shishtavecin dhe më në fund mbërritëm këtu në bjeshkë. Stani pas krahëve të mi është kthyer në shtëpi të dytë për familjen e Jelen Hoxhës, i cili kalon muajt e verës. Pas rënies së temperaturave, bagëtia zbret në fusha. Por, deri atëherë ka ende punë përpara”.
Në stan mes bjeshkëve të Kukësit, i pari që takojmë është Armando, më i riu i familjes së blegtorit Jelen Hoxha që merret me blegtorinë. Ai është vetëm 14 vjeç dhe nxiton çdo ditë të javës, në mëngjes herët, që para se të shkojë në shkollë, të ndihmojë prindërit për të ushqyer bagëtitë në stan. Prej 3 vitesh Armando ndihmon familjen në bjeshkë, ndërsa thotë se për punën që bën ka edhe mbështetjen e bashkëmoshatarëve.
“Që në orën gjashtë që jam këtu. Jam 14-vjeç, në klasë të 9. Çdo ditë çohem në orën 6. Mbështes familjen, pastaj iki në shkollë, atje duhem në orën 8:30. Bashkëmoshatarët nuk më bullizojnë. Do të vazhdoj të merrem me këtë zanat kur të rritem”…
Familja e Jelen Hoxhës përbëhet nga 12 anëtarë. 3 fëmijë i ka në emigrim, ndërsa vetë i gjashti merret me mbarështimin e deleve dhe të gjedhit. Gjatë muajve të verës, bagëtitë i çon në stan, ndërsa me uljen e temperaturave zbret në fushë.
“Jemi vetë i gjashti me blegtorinë. Më të madhin e kam 21 që merret me bagëti, 3 fëmijë i kam në emigrim dhe më i vogli, Armandi, 14 vjeç. Fëmijët ndihmesë e madhe, pa ata nuk mund t’ia dilja”.
Çifti i bashkëshortëve tregojnë se vitet e fundit kanë mbetur shumë pak familje që merren me mbarështimin e bagëtive të imta dhe gjedhit në Shishtavec.
“Këtu kanë qenë shumë familje që merreshin me bagëti e bujqësi, tani më janë vetëm katër familje…”
Jeleni ngre si shqetësim kryesor kushtet e stanit, ku sipas tij nuk po arrin të marrë lejen nga pushteti vendor për ndërtimin e një stani të ri për bagëtitë në bjeshkë.
“Kam aplikuar disa herë për të ndërtuar një stan, sepse aty ku jemi, çfarë bie jashtë, hyn shiu brenda. Por nuk jemi lejuar, pasi vendi në bjeshkë është zonë e mbrojtur, nuk lejohet. Kjo na penalizon për të mbarështuar tufën, sepse kushtet janë shumë të këqija. Sidomos gjatë vjeshtës, që ka reshje”./abcnews.al


