Polonia ka arrestuar dy shtetas ukrainas, të dyshuar se kanë kryer akte spiunazhi dhe sabotimi në emër të shërbimeve sekrete ruse. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e Sigurisë së Brendshme të Polonisë (ABW).
Sipas autoriteteve polake, dy të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar me porosi të inteligjencës ruse, duke mbledhur informacione për infrastrukturën e rëndësishme dhe objektet ushtarake në vende të ndryshme të Polonisë.
Hetuesit bëjnë me dije se dy personat kanë djegur disa automjete, pasi më parë u kishin ndryshuar targat, duke vendosur targa të ngjashme me ato që përdoren nga ushtria ukrainase. Për këto veprime, ata dyshohet se janë paguar, edhe përmes kriptomonedhave.
Sipas prokurorisë polake, qëllimi i këtyre akteve ishte nxitja e urrejtjes dhe ndjenjave kundër ukrainasve në shoqërinë polake.
Ndaj dy të arrestuarve janë ngritur akuza për spiunazh në shërbim të një shteti të huaj dhe për kryerjen e akteve të sabotimit kundër Polonisë.
Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë dënime nga 10 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
Polonia ka akuzuar vazhdimisht Rusinë dhe Bjellorusinë për zhvillimin e një fushate destabilizuese, që përfshin sabotime, sulme kibernetike dhe përhapje të lajmeve të rreme, që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Moska i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, ndërsa Ambasada Ruse në Varshavë nuk ka dhënë ende një reagim lidhur me arrestimet e fundit.


