Një çështje që përfshin drejtuesin e Nvidia-s, Jensen Huang, ka marrë një tjetër zhvillim, pasi aksionarët e kompanisë kanë ngritur padi në gjykatë, duke e akuzuar atë dhe gjigantin e teknologjisë për fshehje të informacioneve që mund të kenë ndikuar te investitorët.
Padia është depozituar në një gjykatë federale në San Jose të Kalifornisë dhe lidhet me pretendimet për një marrëdhënie jashtëmartesore të Huang me Alice Huang, ish-ekzekutive e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor, e cila dyshohet se ka pasur lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës.
Sipas aksionarëve, Nvidia dhe drejtori i saj ekzekutiv nuk kanë bërë të ditura informacionet mbi rreziqet e mundshme që mund të sillte kjo marrëdhënie për sigurinë kombëtare, reputacionin dhe interesat ekonomike të kompanisë.
Rasti u bë publik pas një raportimi të gazetës “New York Times” muajin e kaluar, sipas të cilit autoritetet amerikane dyshojnë se Alice Huang ka bashkëpunuar me inteligjencën kineze.
Jensen Huang ka pranuar para punonjësve të Nvidia-s se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore, por nuk ka dhënë hollësi të tjera lidhur me personin në fjalë dhe hetimin që po zhvillohet.
Ndërkohë, Nvidia njoftoi të dielën se do të nisë një hetim të pavarur për pretendimet se drejtori i saj ekzekutiv mund të ketë qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili të hënën konfirmoi se FBI po shqyrton rrethanat e rastit.
Gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se kishte komunikuar personalisht me Huang për t’u interesuar mbi gjendjen e tij pas zhvillimeve të fundit.
Presidenti amerikan bëri të ditur se drejtuesi i Nvidia-s i kishte thënë se nuk kishte pasur dijeni për pretendimet mbi lidhjet e mundshme të gruas me inteligjencën kineze.
“E di që FBI-ja po shqyrton një aspekt tjetër të çështjes dhe mendoj se ai do të jetë mirë”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se Huang e kishte siguruar se nuk kishte pasur asnjë ide se gruaja me të cilën kishte pasur marrëdhënie mund të ishte e përfshirë në veprimtari spiunazhi.
Ndërkohë, padia e aksionarëve dhe hetimi i njoftuar nga Nvidia pritet të hedhin më shumë dritë mbi pretendimet dhe pasojat e mundshme për kompaninë.


