Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Shpërthim në një fabrikë çeliku në Turqi, 10 të vdekur dhe disa të zhdukur

schedule18:04 - 9 Nëntor, 2026

schedule 18:04 - 9 Nëntor, 2026

Një shpërthim i fuqishëm, i shoqëruar nga një zjarr masiv, ka goditur të hënën një uzinë hekuri dhe çeliku në perëndim të Turqisë, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe 15 të plagosur.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për katër punëtorë që rezultojnë të zhdukur dhe dyshohet se ndodhen nën rrënoja.

Ngjarja ndodhi në uzinën HABAS, në Aliaga të provincës së Izmirit.



Guvernatori i provincës, Suleyman Elban, bëri të ditur se mes të plagosurve dy persona ndodhen në gjendje kritike.

Kryetari i Bashkisë së Izmirit, Cemil Tugay, deklaroi se numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve do të përcaktohet vetëm pasi të përfundojë pastrimi i rrënojave.

Pamjet e publikuara nga mediat treguan flakë të mëdha brenda uzinës dhe një re e lartë tymi që ngrihej mbi objekt.

Dëshmitarët kanë përshkruar fuqinë e shpërthimit, i cili u ndje edhe në zonat përreth.

“Toka u drodh. Ishte shumë i fuqishëm”, tha Nuri Ali Ulker për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu.

Një tjetër dëshmitar, Deniz Ulker, u shpreh se shpërthimi ishte aq i fortë, sa iu duk sikur toka po lëvizte nën këmbët e tij, duke menduar fillimisht se bëhej fjalë për një tërmet.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Ciftci, deklaroi se ekipet e emergjencës ndërhynë për shuarjen e zjarrit dhe kërkimin e personave të bllokuar.

Ai bëri të ditur se të plagosurit janë transportuar në spitale, ku po marrin trajtimin e nevojshëm dhe po monitorohen nga mjekët.

Sipas njoftimit të guvernatorit, shpërthimi ndodhi rreth mesditës, në momentin kur një vinç i montuar në tavan u rrëzua mbi një furrë gjatë procesit të derdhjes së çelikut të lëngshëm.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa ministri i Drejtësisë, Akin Gurlek, bëri të ditur se për çështjen janë caktuar katër prokurorë.

Aliaga është një zonë e njohur për portin e saj të madh dhe aktivitetin e çmontimit të anijeve.

Ky aktivitet është kritikuar për ndikimin e tij në mjedis, ndërsa janë ngritur edhe kërkesa për largimin e kantierit të çmontimit të anijeve nga lista e Bashkimit Evropian për impiantet e riciklimit të anijeve.

Aksidenti ndodhi në një kohë kur në Antalia të Turqisë po zhvillohen bisedime ndërkombëtare për luftën kundër ndryshimeve klimatike, ku janë mbledhur liderë botërorë dhe aktivistë mjedisorë.

Uzina HABAS, ku ndodhi shpërthimi, është themeluar në vitin 1987 dhe, sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë, ka kapacitet prodhues prej 4.5 milionë tonësh çelik në vit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!