Besohet se do ta shohim në mes të tri shtyllave. Shqipëria ka virtualisht një portier të ri për kombëtaren, dhe ky është italiani Elia Kaprile, që e tregoi veten sesa vlen në ndeshjen e fundit të Serisë A.
Gardiani 25-vjeçar, që mori pasaportën shqiptare pak javë më parë, ishte i shkëlqyer në ndeshjen që Kaljari e fitoi 1-0 ndaj Frozinones në fushën e vet.
Goli I avantazhit u shënua që në pjesën e parë, kur ishullorët goditën shumë bukur me mesfushorin francez, Mishel Adopo, por kjo rrjetë nuk do të kishte mjaftuar aspak.
Në skenë u ngjit Kaprile, që bëri plot 10 pritje, njërën më të vështirë se tjetrën, e duke qenë më i miri lojtar në fushë për të dyja skuadrat. Veçohen pritjet ndaj Kalosë dy herë, dhe Çikelës, por edhe përballë rumunit Birlixhea.
Agjencia e specializuar “sofaskor” jo vetëm që e shpall portierin italo-shqiptar si më të mirin në fushë, por edhe I jep notën maksimale, 10, pikërisht për 10 pritjet e bëra.
Kaprile mori edhe 63 për qind të notave të tifozëve.
Kjo ishte fitorja e parë e Kaljarit pas 4 humbjeve radhazi në Serinë A, dhe rezultati i parë pozitiv që nga 11 tetori.
Tashmë, vijnë sfidat tepër të vështira ndaj Komos jashtë fushe dhe kundër Milanit në shtëpi, e shpresohet që Kaprile të jetë sërish në nivel të lartë.


