Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Kubës, duke shënjestruar dhjetë subjekte, mes tyre anëtarë të elitës drejtuese kubane, rrjetin e transportit të naftës bruto, ndërmarrjet shtetërore përgjegjëse për importet dhe mbështetjen teknike, si dhe furnizuesit e ushtrisë kubane me bazë në Kinë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se elita drejtuese e Kubës po përfiton nga burimet energjetike, të transportit dhe teknologjike të vendit, ndërsa qytetarët përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, mungesa dhe stanjacion ekonomik.
“Elita sunduese e Kubës po përvetëson burimet energjetike, të transportit dhe teknologjike të ishullit për pasurimin e tyre, duke e lënë popullin kubanez të përballet me ndërprerje të energjisë, mungesa dhe stanjacion ekonomik. Regjimi marksist në Havanë mbështetet në një rrjet ndërmarrjesh shtetërore, sipërmarrjesh të përbashkëta dhe ndërmjetësish në det të hapur për ta mbajtur këtë sistem në funksionim”, thuhet në deklaratën e Rubios, raportojnë mediat e huaja.
Kryediplomati amerikan theksoi gjithashtu se Kuba vazhdon të shërbejë si pikënisje për një koalicion global aktorësh armiqësorë dhe antiamerikanë, të cilët, sipas tij, kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe interesat e tyre, si dhe përfshihen në aktivitete spiunazhi dhe komplote kundër Uashingtonit.


