Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Geni” Tukiçi rikthehet në Shkodër pas 32 vitesh, koncert homazh për 100-vjetorin e tenorit të madh Ibrahim Tukiçi

schedule13:33 - 5 Nëntor, 2026

schedule 13:33 - 5 Nëntor, 2026

Një mbrëmje e veçantë, ku muzika, kujtimi dhe emocionet familjare do të bashkohen në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër.

Më 12 nëntor, në orën 19:00, pianisti Genc Tukiçi rikthehet në qytetin e rrënjëve të tij pas 32 vitesh, për një koncert homazh kushtuar të atit, tenor i madh Ibrahim Tukiçi.

Një recital vokal që vjen në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të artit lirik shqiptar, emri i të cilit mbetet i skalitur në historinë e muzikës sonë.
Ibrahim Tukiçi nuk ishte thjesht një tenor i jashtëzakonshëm. Ai ishte një artist që i dha skenës shqiptare personalitet, dinjitet dhe një pasuri të veçantë interpretimi.



Me studimet në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës dhe një karrierë të pasur në Teatrin e Operës dhe Baletit, ai interpretoi role të rëndësishme në operat botërore dhe shqiptare, duke u vlerësuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Artist i PopullitPor trashëgimia e tij nuk jeton vetëm në skenat ku interpretoi, por edhe në kujtesën e publikut dhe në brezat e artistëve që frymëzoi.

Për Genc Tukiçin, kjo mbrëmje ka një domethënie të veçantë. Babai ishte idhulli, mësuesi dhe shoku i tij më i mirë, njeriu që i mësoi se muzika nuk është vetëm teknikë, por një mënyrë për të komunikuar me shpirtin e njerëzve.

Në këtë koncert homazh do të marrin pjesë edhe baritoni i njohur shqiptar Gëzim Myshketa, si dhe dy djemtë e tenorit të madh, David dhe Genc Tukiçi.
Një rikthim në Shkodër që shkon përtej një koncerti, për të nderuar një emër të madh të muzikës shqiptare dhe për të dëshmuar se artistët e vërtetë nuk largohen kurrë, për sa kohë vepra e tyre vazhdon të jetojë. Më 12 nëntor, në Teatrin “Migjeni”, muzika do të bëhet ura që lidh brezat dhe kujtesa do të marrë jetë përmes tingujve të një homazhi të paharrueshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!