“Është dënuar në Greqi”, kryebashkiaku i Mallakastrës i përgjigjet PD-së përmes “Abc News”

schedule14:35 - 10 Janar, 2020

schedule 14:35 - 10 Janar, 2020

Kryebashkiaku i Mallkastrës Qerim Ismailaj ka reaguar pas akuzave të demokratëve se ka qenë i dënuar në Greqi.

I kontaktuar nga gazetari i Abc News Juxhin Mustafaraj, Ismailaj thekson se nuk ka qenë ndonjëherë i arrestuar apo dënuar nga policia greke duke shtuar se nëse do të kishte ndonjë dënim të mëparshme do ta kishte pasqyruar në formularin e dekriminalizimit.

Gjatë mesditës së sotme, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi akuzoi Ismailajn se kishte fshehur dënimin e disa viteve më parë në Greqi.“Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000.

Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek”, tha Bardhi pak më parë.

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI

Rastet e Valdrin Pjetrit, kandidatit trafikant të Edi Ramës në Shkodër; Agim Kajmakut, kandidatit fallsifikator të Edi Ramës në Vorë; Mark Babanit, kandidatit hajdut të Edi Ramës në Vaun e Dejës; nuk janë raste të izoluara.

Një pjesë e mirë e përfaqësuesve të Edi Ramës në bashki të ndryshme të vendit kanë probleme me drejtësinë, për shkak të së shkuarës kriminale ose për lidhjet e tyre aktuale me krimin.

Ajo çfarë i lidh bashkë të gjithë këta kandidatë për kryebashkiakë që e morën pushtetin me dhunë, është Edi Rama, prioritet i të cilit është të mbrojë dhe promovojë këdo që i shërben pushtetit të tij kriminal.

Njësoj si për Valdrin Pjetrin, Agim Kajmaku, apo Mark Babani, Edi Rama e di se edhe Qerim Ismailaj i Bashkisë së Mallakastrës ka fallsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe duhet të largohet menjëherë dhe të shkojë përpara drejtësisë!

Edi Rama e di se i përzgjedhuri i tij për Mallakstrën ka probleme me drejtësinë greke, por ai e ka fshehur të vërtetën.

Ky është një fakt që Edi Rama e di shumë mirë, por po përpiqet të blejë kohë për kriminelin tjetër që i është zbuluar në bashki, këtë herë, duke fallsfikuar dokumentat shtetërorë, siç është formulari i dekriminalizimit.

Strategjia e Edi Ramës për të mbrojtur kriminelin Qerim Ismailaj me betimin se ai as nuk është i dënuar, as nuk është i dëbuar nga Greqia nuk ka asnjë vlerë. Ajo është një strategji e dëshuar, që do të ketë vetëm një përfundim: Edi Rama do të largohet me turp si kryeministri i cili ka vetëm një ofertë për qytetarët e tij: krimin!

Ashtu sikurse premtova dy ditë më parë, sot do të publikojmë dokumente zyrtare dhe të pakundërshtushme që provojnë se Qerim Ismailaj, është person me rekorde kriminale.

Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000.

Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek.

Sipas ligjit të dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funskion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Sot nuk është koha për mashtrime.

Sot është koha për veprim nga organi i prokurorisë, është koha që ligji të veprojë dhe është koha që Edi Rama të mos fshihet pas Qerim Ismailajt, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut dhe Mark Babanit.

Edi Rama do të ndëshkohet me votë të lirë e të ndershme për faktin që alternativa e tij e vetme është krimi; për kandidimin e individëve me të shkuar kriminale; dhe për tentativën e përsëritur për të futur në politikë individë me të shkuar kriminale. /abcnews.al