Në një kohë kur Australia është përfshirë nga flakët dhe e gjithë bota është angazhuar për ta ndihmuar, një qytezë e vogël bregdetare është përfshirë nga kriza e birrës. Për ta zgjidhur këtë e për t’i ardhur në ndihmë qytezës Malakuta (Mallacoota) në shtetin Viktora, Marina e Australisë është angazhuar maksimalisht.
Për shkak të zjarreve masive, të gjitha rrugët që lidhin me qytezën e vogël janë bllokuar që prej 1 janarit, duke shkatërruar shtëpi dhe makina. Banorët kanë mbetur të izoluar dhe në pakot me ndihma që i janë dërguar nuk mund të mungonte birra. Në fakt janë 3000 litra nga pija e tyre e dashur, që u ngarkuan të enjten në anijen ushtarake australiane HMAS Choules, që dërgoi ndihma nga deti.
“Pabi është në zemër të këtyre komuniteteve dhe pas asaj që kanë hequr banorët dhe zjarrfikësit në Malakuta, është më e pakta që mund të bëjmë”, tha Peter Filipovic, CEO i një kompanie lokale të prodhimit të birrës, “Carlton & United Breweries”.
Carlton & United Breweries premtuan gjithashtu 1 milion dollarë australianë (686,000 dollarë) për lehtësimin e katastrofës nga zjarret.
Një zëdhënës i Forcave së Mbrojtjes Australiane tha për CNN se “ata e pranojnë se ky furnizim do të ndikojë pozitivisht në moralin e komunitetit” .
Zjarret kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme prej disa muajsh tashmë në Australi. Deri tani kanë humbur jetën 27 persona, ndërsa mijëra të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë./abcnews.al