Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga masat që synojnë forcimin e meritokracisë në administratën publike, përmes një sistemi të ri testimi kombëtar për njohuritë dhe aftësitë profesionale. Sipas tij, kandidatët që kalojnë testimin, i cili do të zhvillohet sipas standardeve të Kembrixhit, do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vite.
Rama bëri gjithashtu të ditur se do të krijohet një Regjistër Kombëtar i Talenteve, ku të interesuarit do të mund të regjistrojnë kandidaturat e tyre dhe të informohen për mundësitë e punësimit në administratën shtetërore.
“Përmes një testimi kombëtar do të kenë mundësi që të testojnë njohuritë e tyre dhe të futen në administratën publike. Testime të Kembrixhit, standard i barabartë dhe testim prej teknologjisë, ata që kalojnë pajisen me një certifikatë për 4 vjet. Certifikata nuk të jep domosdoshmërisht punë, por vlen. Ne do të vendosim në dispozicion të të gjithëve këtë derë të provimit kombëtar. Ka shumë ankesa se nuk ka meritokraci. Duhet të jetë garancia që shteti duhet t’i japë nëpunësit.
Së treti, te drejtimi, përgjegjësi për drejtimin e institucioneve. Disa ditë më parë drejtuesit u janë nënshtruar një testimi. Është një kërkesë për të parë me një sy kritik. Aty ku ka profesionalizëm të rezultateve, ato duhet që të mbrohen. Ky proces dhe shkalla e meritës bashkohen në një drejtim, llogaridhënia nuk mund të funksionojë vetëm kur problemet bëhen publike.
Ministria e Administratës Publike do të merret me mirëqeverisje dhe llogaridhënien. Shkalla e meritës do të mbështetet me reforma konkrete. Do të jetë një regjistër kombëtar të talenteve. Ata që kërkojnë të kontribuojnë për shtetin do të regjistrojnë talentin, kandidaturën e tyre, ata do të informohen në kohë reale për të gjitha mundësitë që krijohen. Këto instrumente do të na ndihmojnë më mirë që të vendosim standard. E di që ka skepticizëm”, tha Rama.


