Bashkimi Evropian është i gatshëm të angazhohet në negociata paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar se është përgatitur prej kohësh për një mundësi të tillë.
Deklarata u bë të premten nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, gjatë një komunikimi me gazetarët në Bruksel.
“Ne jemi të përgatitur dhe kemi qenë duke u përgatitur për një kohë të gjatë, dhe mezi presim momentin kur Rusia do të jetë e gatshme të angazhohet në diskutime të vërteta dhe në terma realë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, deklaroi Pinho.
Qëndrimi i Brukselit erdhi pas pyetjeve nëse Komisioni Evropian po përgatitet për një fazë të re të mundshme të negociatave dhe nëse do të ishte i gatshëm të dërgonte një përfaqësues për të marrë pjesë në bisedimet e paqes.
Deklaratat vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi në shkurt të vitit 2022 me pushtimin rus të Ukrainës, kanë marrë vëmendje të re.
Kjo pason edhe telefonatat e fundit mes udhëheqësve të Finlandës dhe Norvegjisë me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilat kanë rikthyer në fokus mundësinë e një angazhimi diplomatik për përfundimin e konfliktit.


