Një video e influencuesit amerikan Chris, me mbi 30 milionë shikime në rrjetet sociale, e ktheu “Hani i Vjetër” në një destinacion të preferuar për adhuruesit e ushqimit ballkanik.
Jeton Thaçi, shqiptari që la bankën në Kosovë për kuzhinën në Amerikë, nuk e kishte imagjinuar kurrë se fati i tij do të ndryshonte brenda 24 orëve.
Prej vitit 2016 jeton në Shtetet e Bashkuara, ndërsa prej vetëm pesë muajsh është vendosur në Teksas.
Një muaj më parë hapi restorantin “Hani i Vjetër”, me shpresën për të ndërtuar biznesin e tij.
Por, pavarësisht përkushtimit, klientët nuk vinin në numrin që ai dëshironte.
Gjithçka ndryshoi kur në restorant mbërriti influencuesi amerikan i ushqimit, i njohur si “EverybodyEatsChris”.
Jetoni nuk e njihte dhe as që e dinte se vizitori po filmonte përmbajtje për rrjetet sociale.
Kur Chris provoi gatimet shqiptare, dy prej tyre i lanë veçanërisht mbresa: qebapët dhe ajvari.
Pas degustimit, ai u largua i kënaqur, pa i dhënë Jetonit asnjë arsye të mendonte se ajo vizitë do të ndryshonte gjithçka.
Por, kur videoja u publikua, ndodhi e papritura.
Brenda pak ditësh, “Hani i Vjetër” u shndërrua në një pikë tërheqëse për klientë nga qytete të ndryshme përreth.
Videot arritën miliona shikime në TikTok, Instagram, YouTube dhe Facebook, ndërsa interesi për kuzhinën ballkanike u rrit me shpejtësi.
Nga një lokal ku mezi hynin klientët, restoranti nisi të priste deri në 400 persona në ditë.
Jetoni tregon se dita e parë e fluksit ishte kaotike: hyri në kuzhinë, la vetëm një person në shërbim dhe, kur doli, pa qindra njerëz që prisnin në radhë.
Entuziazmi i klientëve u shoqërua edhe me stresin e përgjegjësisë për të përballuar kërkesën.
Netët pa gjumë dhe frika se nuk do t’ia dilte u bënë pjesë e përditshmërisë së tij.
Në ditët e para, miqtë iu gjendën pranë, derisa arriti të krijonte një staf të ri për kuzhinën dhe shërbimin.
Sot, biznesi është më i organizuar, por puna është shtuar edhe më shumë.
Dikur bankier në Kosovë, sot sipërmarrës dhe kuzhinier në Amerikë, Jetoni ka një histori që tregon se ndonjëherë mjafton një mundësi e papritur për të ndryshuar drejtimin e jetës.
Madje, siç rrëfen me humor, nëna dhe bashkëshortja e tij ende habiten: dikur nuk dinte të skuqte as dy vezë, ndërsa sot ushqen qindra klientë.
Dhe në Teksas, mes aromës së qebapëve dhe shijes së ajvarit, një biznes shqiptar po fiton zemrat e amerikanëve.


