Tajvani ka ngritur shqetësimin për praninë e më shumë se 50 anijeve ushtarake dhe zyrtare kineze në një hapësirë të gjerë detare, nga jugu i Japonisë deri pranë Tajvanit dhe Filipineve.
Joseph Wu, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Tajvanit, deklaroi se aktiviteti i njëkohshëm i anijeve kineze përbën një kërcënim të dukshëm për sigurinë rajonale.
Sipas një harte të publikuar prej tij në rrjetin social X, janë identifikuar gjithsej 53 anije, prej të cilave 34 janë anije luftarake të marinës kineze.
Në mesin e tyre ndodhet edhe aeroplanmbajtësja kineze Liaoning, e shoqëruar nga grupi i saj ushtarak.
Sipas hartës, grupi i aeroplanmbajtëses ndodhej në lindje të Filipineve, ndërsa formacione të tjera kineze ishin pozicionuar në lindje dhe juglindje të Tajvanit, si dhe pranë bregdetit jugor të Japonisë.


