Flavio Bolsonaro është larguar nga Brazili drejt Shteteve të Bashkuara, së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, vetëm pak ditë pas humbjes në zgjedhje, ka bërë të ditur për Reuters një burim pranë senatorit brazilian.
Largimi i tij raportohet vetëm disa orë pasi policia braziliane njoftoi se kishte anuluar pasaportat e tij. Sipas policisë, Bolsonaro nuk kishte zbatuar urdhrin për dorëzimin e pasaportave brenda 24 orëve, në kuadër të një hetimi për dyshime për pastrim parash, akuza të cilat ai i mohon.
Largimi i Flavios mund të ndjekë shembullin e babait të tij, ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, i cili u vendos në Shtetet e Bashkuara pasi refuzoi ta pranonte humbjen ndaj Luiz Inacio Lula da Silvas në zgjedhjet e vitit 2022. Jair Bolsonaro më vonë u kthye në Brazil, ku u dënua me 27 vjet burgim për përfshirje në një komplot për grusht shteti.
Flavio Bolsonaro ende nuk e ka pranuar zyrtarisht humbjen. Të dielën, ai deklaroi se do të kërkonte anulimin e rezultatit zgjedhor, duke pretenduar se kishte pasur parregullsi në votim. Megjithatë, partia e tij, Partia Liberale, njoftoi të hënën se e pranonte fitoren e Lulas.
Pas numërimit të të gjitha votave, Lula, 80 vjeç, mori 51,79 për qind të votave, kundrejt 48,21 për qind të rivalit të tij 45-vjeçar. Analistët vlerësuan se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje mund ta ketë ndihmuar Lulan të sigurojë fitoren.


