Një vrasje e paralajmëruar në Kosovë.
Arlinda Sylaj Zekaj, 49 vjeçe është vrarë nga kunati i saj, Albert Syla mbrëmjen e të dielës rreth orës 21.
Por, sipas policisë së Kosovës, rreth orës 19, ajo ishte paraqitur në stacionin policor në Pejë, ku kishte kërkuar ndihmë për një rast të dhunës në familje.
Ajo u intervistua në stacionin policor, ndërsa bashkëshorti u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.
Gruaja u kthye në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë.
Rreth dy orë më vonë, policia u njoftua se ajo ishte gjetur pa shenja jete. I dyshuari për vrasjen e saj është kunati, ende në arrati.
49-vjeçarja u vra me sëpatë brenda shtëpisë së saj. Por ndihma e saj drejtuar autoriteteve të Kosovës kishte qenë e vazhdueshme. Sipas mediave në Kosovë, edhe në 22 tetor, tri ditë para vrasjes, viktima i kishte dërguar një kërkesë Prokurorise Themelore në Pejë.
Ajo kishte ngritur shqetësimin për trajtimin e rastit të saj, mosmarrëveshjet familjare, dhe zbatimin e një vendimi gjyqësore lidhur me të drejtën e saj për ta shfrytëzuar shtëpinë dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve.
Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo në letër, duke e cilësuar kërkesën si “shpresën e fundit”.
Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.
Në reagimin e saj, Shiroka-Pula ka theksuar se organet kompetente duhet të hetojnë jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar kërkesat e viktimës dhe nëse kanë përmbushur detyrimin ligjor për ta mbrojtur atë.


