Një protestë që nisi me shprehje të pakënaqësisë politike, përfundoi me flakë, përplasje dhe dëme në institucione që qëndrojnë në themel të funksionimit të shtetit.
Ministria e Drejtësisë, Komisariati i Policisë Nr. 3, Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit. Katër institucione drejtësie të prekura nga një valë dhune që tashmë ngre pikëpyetje përtej bilancit të dëmeve materiale. Zjarri i 17 tetorit në ambientet e Gjykatës së Lartë dëmtoi edhe dokumentacion gjyqësor, duke detyruar institucionin të shtyjë seancat, me përjashtim të çështjeve urgjente, deri në verifikimin e dëmeve dhe gjendjes së dosjeve.
Por, ndërsa institucionet përpiqen të rikthejnë normalitetin, një tjetër element i kësaj historie kërkon vëmendje. Kush janë personat e arrestuar pas protestës së dhunshme dhe çfarë tregon e kaluara e tyre?
Në listën zyrtare të përcjellë për mediat, Policia ka identifikuar dhjetëra persona me referime për vepra të ndryshme penale. Mes tyre ka emra të lidhur me çështje narkotikësh, vjedhjesh, mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, dhune, kundërshtimi të punonjësve të policisë, madje edhe vrasje. Në listë përmenden edhe persona të dënuar më parë jashtë vendit, përfshirë për trafikim të lëndëve narkotike dhe trafikim të qenieve njerëzore. Një prej emrave shoqërohet me një dënim të mëparshëm prej 23 vjetësh burgim për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Edi Rama, kryeministër
Të gjithë personat që do të shihni janë tanimë subjekt dhe objekt i punës së Policisë së Shtetit dhe drejtësisë shqiptare. Janë të gjithë persona të ndaluar nga Policia e Shtetit në protestat e dhunshme dhe nuk janë studentë. Janë diçka tjetër. Nuk i përkasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me të gjithë ata studentë, të cilët nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban, por që qëndrojnë në një front proteste. Protestë paqësore të lidhur me jetën e tyre të përditshme dhe natyrisht përmes Instagramit dhe TikTokut janë bërë pjesë e mbështesin këtë protestë sepse fatkeqësisht shikojnë tek dhuna një mundësi për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë, për të ulur në gjunjë institucionet dhe natyrisht në fund fare për të më imponuar mua një shkelje të pa tolerueshme të kontratës me shqiptarët.
Por çfarë përfaqësojnë realisht këta emra në protestën e fundit? A janë të gjithë të arrestuar për të njëjtat akte? Sa prej tyre dyshohen konkretisht për sulme ndaj policisë, shkatërrim prone apo zjarrvënie?
Jo për të barazuar çdo protestues me një person me precedent penal, as për të shpallur fajtorë njerëz përpara vendimit të gjykatës, por për të kuptuar se kush mori pjesë në dhunë, çfarë roli dyshohet se pati dhe nëse pas episodeve të njëpasnjëshme qëndrojnë akte të veçuara apo një dinamikë më e gjerë që duhet hetuar.
Sepse e drejta për të protestuar është themelore. Por ajo nuk mund të përdoret si mburojë për dhunën. Dhe kur flakët arrijnë deri te institucionet e drejtësisë, pyetja nuk është më vetëm se kush protestoi, por edhe kush i kreu aktet e dhunës, kush duhet të mbajë përgjegjësi dhe nëse shteti është në gjendje t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve me prova, transparencë dhe ligj.
Kush janë personat në listën e Policisë, çfarë dihet për të kaluarën e tyre dhe çfarë mbetet ende për t’u provuar për dhunën që goditi institucionet?
KUSH ËSHTË “GRUPI I ZJARRIT”?
Gjatë ditëve të protestës së dhunshme në rrugët e Tiranës, Policia ndaloi e arrestoi dhjetëra persona. Prej tyre shumë pak mbetën pas hekurave, pasi pjesa më e madhe u liruan nga Gjykata. Por mes emrave të arrestuar, disa bien në sy dhe janë veçuar edhe nga Policia. Përveç akteve të dhunës gjatë protestës, ata kanë edhe një të shkruar kriminale, të akuzuar, proceduar, madje edhe të dënuar për vepra të ndryshme penale, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Policia veçon në një listë rreth 50 persona, që tashmë konsiderohen edhe si “grupi i zjarrit”. E ndoshta e shkuara e tyre, problemet që ata kanë pasur me drejtësinë, duket se i ka “motivuar” edhe më shumë për të sulmuar forcat e Policisë por edhe institucionet, si Gjykatat ashtu edhe Komisariatin.
Lista është e gjatë, por disa veçojnë nga të tjerët, për shkak të krimeve të rënda për të cilat janë përballur me drejtësinë në të shkuarën.
I tillë është Arben Lleshaj, 52 vjeç, një ish-i dënuar me 23 vjet burg për vrasje, i cili e kishte fituar lirinë më 14 shkurt të vitit 2022. Por edhe pas lirimit ai kishte pasur edhe disa përballje të tjera me Policinë, për konflikte të ndryshme gjatë tri viteve të fundit. Madje ishte arrestuar edhe pas protestës së dhunshme të Parlamenti në korrik të vitit 2026.
Apo edhe Zef Mëhilli, 30 vjeç, i cili sipas Policisë së Tiranës ka qënë i dënuar për vjedhjë në Britaninë e Madhe. Madje edhe nga një shkrim i mediave Britanike, rezulton se ky person është arrestuar bashkë me një shqiptar tjetër në dhjetor të vitit 2018 atje, pasi kishin hyrë për të vjedhur në një banesë. Ata u arrestuan pranë Park Avenue, Bushey, ndërsa kishin me vete sende të vjedhura. Gruaja, e cila nuk ndodhej në shtëpi në atë moment, njoftoi policinë pasi pa persona të huaj në banesën e saj përmes një kamere të brendshme të lidhur me telefonin e saj celular.
Përveç kësaj ngjarjeje, Mehilli akuzohej edhe për një vjedhje tjetër në një shtëpi në Tudor Drive, Watford, më 29 shtator të po atij viti, si dhe për dy raste të sulmit ndaj një oficeri policie gjatë arrestimit të tij. Mehilli ishte gjithashtu në kërkim në lidhje me një vjedhje të ndodhur në Chigwell më 31 tetor 2018.
Mes personave të arrestuar pas protestës së dhunshme në Tiranë është edhe Ilmar Gugashi, i identifikuar në raportimet mediatike si pronar i hotelit, pranë Gjykatës së Lartë, ku shfrytëzoheshin për prostitucion vajza nga Amerika Latine. Sipas të dhënave të publikuara, hetimi për këtë rrjet zbuloi transferta financiare drejt Kolumbisë dhe përfitime të dyshuara që arrinin rreth 1 milion euro në nëntë muaj. Arrestimi i tij për këtë vepër të rëndë penale u realizua në tetor të vitit 2025, por nuk dihet se në çfarë rrethanash ai ka fituar lirinë në më pak se një vit.
Tre prej tyre rezultojnë që të jenë proceduar e ndonjë rast edhe dënuar në vende të Bashkimit Europian dhe janë kthyer si deportiv, konkretisht nga Greqia, Gjermania dhe Franca.
Ndërsa 21 të tjerë, rezulton të jenë me precedentë penalë në fushën e narkotikëve e në disa raste shoqëruar edhe me vepra të tjera penale. Por, mes tyre, ashtu siç theksoi edhe kryeministri Edi Rama, ka edhe persona të financuar nga Irani.
Sigurisht, në të ashtuquajturin “grupi i zjarrit”, ka edhe persona pa precedentë të mëparshëm penalë, por duket se kryesisht këta që janë përballur më parë me ligjin, duket se po shfrytëzojnë momentin që “faturën” për heqjen e lirisë në të shkuarën, sot t’ia presin efektivëve të Policisë së Shtetit, Komisariateve dhe Gjykatave.
PROTESTA NË FLAKË, DREJTËSIA NË SHËNJESTËR
Kur flakët arrijnë deri te dosjet e gjykatës, dhuna nuk është më vetëm në rrugë.
Ajo prek vetë institucionet që duhet të garantojnë zbatimin e ligjit.
Në Tiranë, protesta që nisi me përplasje në rrugë po lë pas godina të dëmtuara, institucione të sulmuara dhe pasoja që tashmë kanë prekur edhe funksionimin e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë u sulmua që në ditën e parë, më pas shënjestër u bënë edhe struktura të policisë, ndërsa zjarri i 17 tetorit shkaktoi dëme në ambientet e Gjykatës së Lartë, përfshirë dosje gjyqësore. Seancat, me përjashtim të çështjeve urgjente, janë shtyrë.
Por kush po e çon protestën drejt kësaj pike? Ku mbaron pakënaqësia politike dhe ku nis dhuna e organizuar? A kemi të bëjmë me akte të veçuara, apo ka prova për një përshkallëzim të koordinuar kundër institucioneve? Dhe, ndërsa kërkohet përgjegjësi për autorët, si do të garantohet që reagimi i shtetit të mbetet brenda kufijve të ligjit?
Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje, në një moment kur pasojat e protestës nuk maten më vetëm me përplasjet në rrugë, por edhe me dëmin që mund t’i shkaktohet funksionimit të institucioneve dhe besimit të qytetarëve te drejtësia.
Tirana po përjeton disa ditë që mund të shënojnë një pikë kthese në mënyrën si Shqipëria përballet me protestën, dhunën dhe autoritetin e shtetit.
Ajo që nisi si një protestë studentore, e shoqëruar me përplasje të forta me policinë, po shtrihet tashmë drejt institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë. Pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3, në shënjestër është vënë edhe Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm. Dy institucione të ndryshme, por me një pyetje e përbashkët: A po kalon dhuna nga përplasja në rrugë drejt sfidimit të drejtpërdrejtë të institucioneve që garantojnë rendin dhe drejtësinë?
Për banorët e vjetër të zonës së rrugës “Mine Peza”, fjala “burg” nuk është një referencë e largët. Për dekada, ajo ka qenë një pikë orientimi në jetën e përditshme të kësaj pjese të Tiranës. Sot, sulmi ndaj komisariatit, pranë zonës së burgut dhe paraburgimit, ngre pikëpyetje që shkojnë përtej dëmeve materiale. Cilat ishin objektivat e sulmit, kush mori pjesë dhe a ka prova se synimi ishte më i gjerë se përballja me policinë?
Skënder Hita, drejtor i Përgjithshëm i Policisë
Policia e Shtetit po përballet me akte dhune gjatë tubimit, ku persona të maskuar dhe të dhunshëm kanë sulmuar për orë të gjatë punonjësit e Policisë dhe institucionet publike, si dhe kanë dëmtuar pronën publike dhe private. Gjatë këtyre ditëve strukturat e Policisë kanë kryer veprime hetimore dhe procedurale në disa qytete të vendit. Si rezultat i këtyre veprimeve janë arrestuar 167 shtetas dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 388 të tjerë.
Përgjigjet duhet të dalin nga hetimi. Por një gjë është e qartë. Kur dhuna prek komisariatet, gjykatat dhe institucionet e tjera publike, çështja nuk kufizohet më te rendi gjatë një proteste. Bëhet fjalë edhe për sigurinë e funksionimit të shtetit dhe për mbrojtjen e institucioneve nga intimidimi.
Sulmi ndaj Gjykatës së Apelit merr një domethënie edhe më të rëndë në një vend ku gjyqtarët kanë qenë vetë objekt i atentateve. Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, në ambientet e gjykatës ku ushtronte detyrën, është një kujtesë e dhimbshme e rrezikut me të cilin mund të përballen njerëzit që zbatojnë ligjin. Përballë këtij realiteti, çdo sulm ndaj një institucioni të drejtësisë kërkon hetim të plotë dhe përgjegjësi të qartë.
Policia ka njoftuar për qindra persona të ndaluar ose të shoqëruar gjatë ditëve të protestës. Megjithatë, numri i personave të ndaluar nuk është i njëjtë me numrin e atyre, ndaj të cilëve vendoset një masë sigurimi. Çdo rast vlerësohet individualisht nga organet kompetente, mbi bazën e provave dhe kritereve ligjore. Pyetja që meriton përgjigje është nëse hetimet po identifikojnë jo vetëm personat e përfshirë në akte konkrete dhune, por edhe ata që mund të kenë organizuar, nxitur apo financuar veprime të tilla, nëse këto lidhje provohen.
Në këtë klimë tensioni, qeveria ka paralajmëruar një paketë të re masash ligjore. Ndërkohë po shqyrtohet edhe mundësia e krijimit të një mekanizmi për identifikimin dhe regjistrimin e personave që dyshohen për organizimin, nxitjen ose financimin e dhunës, me përfshirje të mundshme në sistemin TIMS. Dhe kjo mund të pengojë shumë shtetas shqiptarë që të udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Shengen.
Por para se të konkretizohet kjo nismë, duhet sqaruar nëse ekziston një projekt konkret. Cila do të jetë baza ligjore? Çfarë kriteresh do të përdoren për përfshirjen e një personi në këtë listë? Kush do ta administrojë mekanizmin dhe çfarë mundësish do të ketë një qytetar për të kundërshtuar një vendim të padrejtë?
Një listë administrative nuk mund të zëvendësojë një vendim gjykate dhe as dyshimi nuk mund të trajtohet si fajësi e provuar. Çdo masë që prek lirinë e lëvizjes, privatësinë ose të drejtat e individit duhet të ketë bazë ligjore, të jetë proporcionale dhe t’i nënshtrohet kontrollit përkatës. Përndryshe, përpjekja për të mbrojtur sigurinë mund të krijojë një tjetër problem për shtetin e së drejtës.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria nuk mund ta trajtojë këtë përshkallëzim pa parë edhe përtej kufijve të saj. Vendet Europiane përballen me sfida të ndryshme të sigurisë, të protestave dhe të radikalizimit politik. Për Shqipërinë, kjo është një çështje veçanërisht delikate. Ne kemi kaluar tranzicionin e vështirë të viteve ’90, krizën e vitit 1997, trazirat e vitit 1998 dhe tragjedinë e 21 janarit 2011. Këto ngjarje kanë treguar se kur konflikti politik del jashtë kufijve të institucioneve, kostoja mund të jetë shumë më e madhe se fitorja apo humbja e një partie.
Por brezat nuk duhet të përdorin historinë vetëm për të frikësuar njëri-tjetrin. Ata duhet ta përdorin për të kuptuar se ku kanë gabuar institucionet, politika dhe shoqëria, dhe çfarë duhet të bëjnë ndryshe.
Këto probleme nuk zhduken duke i quajtur të gjithë protestuesit të dhunshëm. Por asnjë pakënaqësi sociale nuk e justifikon sulmin ndaj policëve, shkatërrimin e bizneseve apo intimidimin e gjyqtarëve.
Këtu qëndron dilema më e madhe e këtyre ditëve të protestës së dhunshme. Si të mbrohet rendi publik pa cenuar të drejtën për protestë? Si të ndëshkohet dhuna pa kriminalizuar kundërshtimin politik? Dhe si të forcohet shteti pa e kthyer sigurinë në një justifikim për kufizimin e demokracisë?
Sepse shteti ka detyrimin të mbrojë qytetarët dhe institucionet. Por ai ka po ashtu detyrimin të veprojë brenda ligjit. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike. Dhuna kërkon përgjegjësi individuale. Dhe drejtësia nuk mund të funksionojë nën presionin e turmës, as nën presionin e pushtetit.
Shqipëria ndodhet përballë një prove që nuk matet vetëm me numrin e të arrestuarve apo me forcën e policisë. Ajo matet me aftësinë për të identifikuar autorët, për të zbardhur organizimin e mundshëm të dhunës, për të mbrojtur institucionet dhe për të garantuar që asnjë masë e jashtëzakonshme të mos dalë jashtë kufijve të ligjit.
Sepse vija që ndan sigurinë nga arbitrariteti është po aq e rëndësishme sa ajo që ndan protestën nga dhuna. Përgjegjësia për dhunën gjatë protestës nuk lidhet vetëm me veprimet e protestuesve, por edhe me mënyrën se si Policia ka ushtruar kompetencat e saj. Rasti i 13 tetorit, kur një 19-vjeçar i dëmtuar në këmbë u shfaq në pamje filmike teksa shoqërohej nga punonjës policie për t’u dërguar në spital, solli nisjen e verifikimeve për mënyrën e trajtimit të tij. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë urdhëroi pezullimin nga detyra të katër punonjësve të policisë dhe të shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, nisi hetimet për rastin. Paralelisht, u ngrit një grup i posaçëm për të shqyrtuar veprimet e punonjësve gjatë protestës dhe respektimin e procedurave standarde.
Skëndër Hita, drejtor i Përgjithshëm i Policisë
Paralelisht janë pezulluar nga detyra dhe 7 punonjës Policie, ndaj të cilëve ka nisur menjëherë hetimi disiplinor për tejkalim të detyrës, mosrespektim të parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të një protestuesi nga ana e tyre.
Kështu, krahas identifikimit të personave përgjegjës për sulmet dhe aktet e dhunës, po verifikohet edhe nëse gjatë ndërhyrjeve policore ka pasur veprime arbitrare, shkelje procedurash apo tejkalim kompetencash. Sepse zbatimi i ligjit kërkon jo vetëm që qytetarët të përgjigjen për veprimet e tyre, por edhe që çdo punonjës i Policisë të mbajë përgjegjësi nëse provohet se ka shkelur ligjin.
KUSH E ORGANIZON DHUNËN
Sulmi ndaj një Komisariati Policie, ishte një nga episodet më të rënda të përshkallëzimit të protestës në Tiranë. Grupe protestuesish të maskuar sulmuan me bomba molotov, gurë, lëndë piroteknike dhe sende të forta Komisariatin e Policisë Nr. 3. Flakët përfshinë një pjesë të godinës, xhamat u thyen dhe ambientet e brendshme pësuan dëmtime. Në vijën e parë të sulmit ishin punonjësit e policisë, të cilët po mbronin institucionin. Si pasojë, 10 efektivë mbetën të dëmtuar.
Pamjet e sulmit ngritën pikëpyetje të forta për sigurinë e punonjësve të rendit dhe kufijtë e dhunës gjatë një proteste. Kur një komisariat sulmohet me mjete ndezëse, kur policët goditen dhe një institucion i sigurisë publike përfshihet nga flakët, çështja nuk mbetet më vetëm te e drejta për të protestuar, por kalon te përgjegjësia individuale për veprimet e kryera.
Në vijim të hetimeve, Policia arrestoi 33-vjeçarin Emin Kokalari, të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj godinës. Sipas njoftimit të Policisë, ai dyshohet se ka dëmtuar ambientet e Komisariatit me sende të forta. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Por arrestimi është vetëm një fazë e procesit. Hetimi duhet të përcaktojë se kush ka marrë pjesë në sulm, çfarë veprimesh ka kryer secili dhe cilat prova mbështesin dyshimet ndaj tyre.
Dhe pikërisht kur Policia vijon të dokumentojë dhunën, vëmendja zhvendoset nga rruga në sallën e gjyqit. Gjykata duhet të vlerësojë rrethanat konkrete dhe provat për secilin person, ndërsa përgjegjësia penale përcaktohet në procesin përkatës gjyqësor.
Pas disa ditësh protestash në Tiranë, vëmendja publike duket se është zhvendosur gradualisht nga arsyet që i nxorën njerëzit në rrugë te dhuna, përplasjet me policinë dhe debatet politike që shoqërojnë çdo episod. Një pjesë e shoqërisë e ndjek protestën nga afër, ndërsa një pjesë tjetër e përjeton përmes pamjeve në rrjetet sociale, deklaratave të politikanëve dhe diskutimeve për atë që ndodh pas kordonëve të policisë.
Por përtej emocioneve, pyetja kryesore është se çfarë po ndodh realisht në terren dhe kush po e përcakton dinamikën e protestës?
Pamjet e publikuara gjatë ditëve të fundit tregojnë grupe protestuesish që përdorin molotovë, mjete piroteknike dhe sende të tjera kundër forcave të rendit. Në disa raste, personat që marrin pjesë në këto episode shfaqen me fytyra të mbuluara dhe me pajisje mbrojtëse. Disa prej tyre duket se veprojnë në mënyrë të koordinuar, duke lëvizur në grupe dhe duke u përgatitur për përballje me policinë.
Këto pamje ngrenë pikëpyetje që nuk mund të marrin përgjigje vetëm nga videot. A kemi të bëjmë me individë që bashkohen spontanisht në momentet e tensionit, apo ka grupe që përgatiten paraprakisht për t’u përfshirë në përplasje?
Për ta sqaruar këtë, nuk mjafton të numërohen molotovët e hedhur apo personat e arrestuar. Duhet të identifikohen pjesëmarrësit, të rindërtohet lëvizja e tyre gjatë protestës dhe të verifikohet nëse ekzistojnë komunikime, lidhje organizative apo prova të tjera që dëshmojnë përgatitje paraprake. Pamjet mund të tregojnë koordinim në terren, por nuk provojnë vetvetiu se pas grupeve qëndron një strukturë e vetme organizuese.
Një protestë mund të ketë shumë pjesëmarrës, por jo të gjithë kanë të njëjtin rol. Ka njerëz që dalin për të shprehur pakënaqësinë, ka organizatorë që përcaktojnë mënyrën e zhvillimit të tubimit dhe mund të ketë individë që përfshihen në akte të veçanta dhune. Këto kategori nuk duhen ngatërruar.
Pikërisht këtu nis puna e institucioneve të sigurisë. Nëse gjatë ndalimeve apo hetimeve janë dokumentuar raste kur persona kanë deklaruar se u janë paguar udhëtimi, akomodimi apo shpenzime të tjera, këto të dhëna meritojnë verifikim. Kush i ka kryer pagesat? Për çfarë shërbimesh janë bërë? A lidhen me pjesëmarrjen në protestë apo me përfshirjen në akte të paligjshme? A ekzistojnë dokumente financiare, komunikime ose dëshmi të pavarura që mund t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve?
Për kryeministrin Edi Rama, dhuna që shoqëroi protestën nuk ishte një shpërthim spontan dhe as thjeshtë një përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Sipas tij, pas saj qëndron një organizim i përgatitur prej muajsh, me rrjete të strukturuara, financime nga jashtë dhe lidhje të dyshuara me krimin e organizuar dhe forca të huaja. Në deklaratën e tij, Rama shkon edhe më tej, duke përmendur rrjetin “Antifa”, futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive, si dhe pretendimin se një pjesë e dhunës është financuar nga burime të jashtme. Ai thotë se të dhënat për këto dyshime ndodhen tashmë në duart e Policisë së Shtetit.
Edi Rama, kryeministër
Qysh se nisi protesta paqësore e flamingove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime, mund të jenë edhe të pafundme, por se qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë dhe të dhunshme, është evidentuar në të gjithë përmasën e vet. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe përmes subjekteve të caktuara, janë tanimë në duart e Policisë së Shtetit. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit “Antifa”, rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit, anarkisë edhe antikapitalizmit, ka vendosur të futet në jetën e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë së Shtetit. Por në duart e Policisë së Shtetit janë edhe pjesëmarrësit, apo më saktë një pjesë, në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para e ardhur nga jashtë. Ku pa dyshim qershia mbi tortë, ose më saktë glasa mbi tortë, është Partia Demokratike, e cila dje mori dhe autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit.
Pagesa e një udhëtimi apo akomodimi nuk është, në vetvete, provë e financimit të dhunës. Por, nëse ekzistojnë dyshime të mbështetura në prova për organizim të akteve të dhunshme, gjurmimi i burimeve të financimit dhe i personave që i kanë mundësuar ato bëhet pjesë thelbësore e hetimit.
Edhe arrestimet e personave të dyshuar për dhunë, përfshirë shtetasit e huaj të njoftuar nga Policia e Tiranës, duhet të analizohen në këtë kontekst, pa nxjerrë përfundime nga shtetësia e tyre. I njëjti standard vlen edhe për operacionin policor “Infrastruktura”, gjatë të cilit u njoftua zbulimi i një magazine me qindra pajisje, mes tyre dronë, llastiqe dhe sfera metalike. Sipas policisë, personi i arrestuar dyshohet se u shiste pjesëmarrësve në protesta mjete që mund të përdoreshin kundër forcave të rendit.
Përballja fizike me grupet e dhunshme është vetëm një pjesë e punës së policisë. Një tjetër pjesë, po aq e rëndësishme, është identifikimi i personave që kryejnë veprime të paligjshme, rindërtimi i mënyrës si veprojnë dhe përcaktimi i përgjegjësive individuale.
Kur të njëjtët persona shfaqen në disa episode, kur grupe të caktuara lëvizin në mënyrë të koordinuar ose kur përdoren mjete të përgatitura për përplasje, lind nevoja për të shqyrtuar nëse këto veprime kanë një lidhje mes tyre
Nëse sulmet ndaj objekteve apo simboleve të caktuara janë dokumentuar, duhet të identifikohen autorët, motivet e mundshme dhe çdo lidhje e provuar me organizatorë të tjerë. Shqipëria ka një traditë të rëndësishme të bashkëjetesës fetare. Për këtë arsye, çdo përpjekje për të nxitur armiqësi fetare apo për të justifikuar dhunën në emër të besimit duhet trajtuar seriozisht, por pa përgjithësuar sjelljen e individëve te një komunitet i tërë.
Edhe sulmet e raportuara ndaj simboleve të Gjergj Fishtës, meritojnë të hetohen si veprime konkrete. Për të përcaktuar nëse kanë qenë akte të izoluara, veprime të motivuara ideologjikisht apo pjesë e një strategjie më të gjerë, duhen prova që lidhin autorët, motivet dhe ngjarjet.
Komisioni Europian dhe autoritetet e sigurisë në disa vende Europiane po shqyrtojnë dyshimet për ndërhyrje të huaja dhe fushata dezinformimi në rrjetet sociale, pas trazirave, akteve të dhunës dhe grabitjeve të raportuara në disa vende. Në fokus janë llogari që dyshohet se kanë lidhje me fushata të mëparshme të ndikimit rus dhe me qarqe të ekstremit të djathtë, të cilat kanë shpërndarë pamje të dhunshme dhe pretendime të pavërteta, duke shtuar tensionet dhe duke krijuar një perceptim të deformuar të ngjarjeve. Hetimet përfshijnë edhe dyshime për operacione ndikimi të lidhura me Iranin dhe Algjerinë.
Franca, Italia, Belgjika dhe Shqipëria janë ndër vendet ku po shqyrtohet ndikimi i përmbajtjeve në internet në përhapjen e tensioneve. Autoritetet Europiane po kërkojnë më shumë transparencë nga platformat digjitale, veçanërisht për mënyrën se si funksionojnë algoritmet e tyre dhe nëse këto sisteme u japin përparësi videove që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, nxisin dhunën ose përhapin informacione të rreme.
Në Itali, ministri i Mbrojtjes i ka cilësuar trazirat si pjesë të një lufte hibride, që zhvillohet jo vetëm përmes mjeteve tradicionale, por edhe përmes platformave si TikTok, YouTube dhe rrjeteve të tjera sociale. Ndërkohë, në Francë, autoritetet kanë kërkuar që shërbimet e inteligjencës të shqyrtojnë nëse persona të lidhur me Rusinë kanë luajtur rol në nxitjen e dhunës.
Studiuesi David Colon, nga Instituti i Shkencave Politike në Paris, ka ngritur shqetësime për rolin e rrjeteve të ndikimit të lidhura me Rusinë, përfshirë operacionet e njohura si Storm-1516 dhe Matryoshka, në përhapjen dhe përforcimin e narrativave të rreme. Në analizat e autoriteteve dhe ekspertëve përmenden gjithashtu dyshime për operacione ndikimi të lidhura me Iranin dhe Algjerinë.
Sipas ekspertëve të sigurisë, objektivi i këtyre fushatave nuk është domosdoshmërisht krijimi i pakënaqësive nga e para, por shfrytëzimi i problemeve dhe tensioneve që ekzistojnë tashmë në shoqëri. Pakënaqësia e qytetarëve ndaj institucioneve mund të jetë reale, por përmes përmbajtjeve manipuluese ajo mund të përdoret për të thelluar ndarjet politike, për të dobësuar besimin te autoritetet dhe për të nxitur përplasje të mëtejshme.
Komisioni Europian ka zhvilluar takime me autoritetet franceze dhe rregullatorët kombëtarë për të diskutuar bashkëpunimin me platformat X, Instagram dhe TikTok. Një nga çështjet kryesore është përgjegjësia e platformave për përmbajtjet që algoritmet e tyre bëjnë më të dukshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për mesazhe raciste, thirrje për dhunë apo informacione të rreme.
Investigimi i Fox News për 101 organizata qe veprojnë si celula koordinimi për protesta te dhunshme ne disa shtete Europiane përfshirë Francën, Italinë, Belgjikën por edhe Shqipërinë ka sjellë në vëmendje edhe Internacionalen Progresiste, rrjetin ndërkombëtar të së majtës ku bën pjesë Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit. Në një tjetër linjë investigimi, mediat amerikane kanë zbuluar detaje mbi rrjetin financiar të multimilionerit Neville Roy Singham, i cili ka mbështetur organizata politike dhe media në disa vende dhe po hetohet nga autoritetet amerikane për shkelje të mundshme financiare dhe të ligjit për agjentët e huaj. Por çfarë lidhjesh dokumentohen mes këtyre strukturave dhe Shqipërisë? Një investigim i publikuar më 20 tetor 2026 nga Fox News Digital pretendon se ka identifikuar 101 organizata në 13 vende, të cilat janë të përfshira në organizimin, koordinimin ose promovimin e protestave te dhunshme dhe kaosit në Europë.
Kur një protestë shoqërohet me dhunë, grabitje dhe përhapje masive të videove në internet, si mund të dallohet pakënaqësia reale e qytetarëve nga përpjekjet e mundshme për ta manipuluar atë? Sfida për autoritetet është të hetojnë ndërhyrjet e mundshme pa e barazuar kritikën publike me dezinformimin dhe pa cenuar të drejtën e qytetarëve për t’u informuar dhe për të protestuar.
Kryeministri Edi Rama përpiqet të bëjë një dallim mes qytetarëve që kanë arsye të protestojnë kundër qeverisë dhe grupit që, sipas tij, e çoi protestën drejt dhunës. Rama pretendon se shumë studentë dhe qytetarë, pavarësisht pakënaqësive politike, zgjodhën të mos i bashkoheshin asaj që ai e përshkruan si një turmë të radikalizuar.
Në qendër të akuzave të tij është sërish “Antifa” dhe ideologjia antikapitaliste, të cilat kryeministri i lidh me përdorimin e dhunës për të sfiduar institucionet demokratike.
Edi Rama, Kryeministër
Fakti është se me apo pa vetëdije, instinktivisht, shumë studentë, shumë qytetarë, që gjejnë arsye për të protestuar ndaj qeverisë dhe ndaj meje personalisht, nuk iu bashkuan asaj turme, e cila në kulmin e vet arriti të jetë në 1500 vetë, një konglomerat, ku pa dyshim brenda vetes ka edhe studentë, të reja dhe të rinj idealistë. Idealistë por krejtësisht të keqkuptuar, te radikalizuar e të ekstremizuar me teoritë destruktive të” Antifës” dhe të një ideologjie antikapitaliste, e cila te dhuna dhe te terrori ka identifikuar mjetin për të marrë peng Europën, për të marrë peng vendet demokratike, për të marrë peng institucionet, për të marrë peng këtë rrugë të zhvillimit që kemi zgjedhur të gjithë së bashku.
Prania e forcave speciale RENEA mbrëmjen e 17 tetorit, kur protesta e dhunshme kulmoi në përplasje me Policinë dhe flakët që pushtuan kryeqytetit, u komentua gjerësisht. Por në fakt, përveç detyrës për të mbrojtur institucionet e rëndësisë së veçantë, RENEA thirret edhe për raste të një kërcënimi konkret. Dhe kjo duket se ka ndodhur atë mbrëmje.
Një sulm që mund të mos ketë pasur në shënjestër vetëm qeverinë shqiptare, por edhe imazhin dhe stabilitetin e një vendi anëtar të NATO-s. Një skenar që, nëse dyshimet konfirmohen, do ta kthente Tiranën në një shembull alarmues për demokracitë. 17 tetori ishte një nga netët më të dhunshme që ka përjetuar kryeqyteti. Policia u përballet me një valë të paprecedentë dhune.
Por, ndërsa sytë e publikut janë përqendruar te përleshjet në rrugë, mbi kryeministri duket se po zhvillohej një tjetër betejë. Një betejë në ajër. Dhe ajo që ngre pikëpyetje të rënda është se, sipas informacioneve që po verifikohen, në lojë nuk ishte vetëm një dron. Bëhet fjalë për gjashtë dronë, katër prej të cilëve dyshohet se ishin të pajisur me lëndë shpërthyese.
Objektivi i dyshuar: Kryeministria dhe hapësira përreth saj, përfshirë Kopshtin Eden, një strukturë e ndërtuar me dërrasa, e rrethuar nga pemë dhe gjelbërim. Një hapësirë që, në rast goditjeje dhe shpërthimi, mund të kthehej në vatër zjarri.
Edi Rama, kryeministër
Është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë, duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm dhe një Zot e di në çfarë pasojash. S’ka rini as s’ka studentë, as të mitur që i shkon mëndja e jo më që ta vërë në jetë këtë plan. Kjo është një dorë e huaj.
E duket se kjo shpjegon gjithçka. Prania e forcave RENEA ishte domosdoshmëri.
SHKATËRRIMI DHE PLAÇKITJA
Një tjetër element që ngre pikëpyetje është prania e protestuesve të maskuar, të cilët e bëjnë më të vështirë identifikimin e personave që kryejnë akte dhune. Në situata të tilla, kur vëmendja e Policisë përqendrohet te përplasjet me turmën, persona të caktuar mund të shfrytëzojnë rrëmujën për të sulmuar banka të nivelit të dytë, institucione financiare apo biznese private, si dyqane celularësh dhe argjendari.
Dhuna e ditëve të protestës në Tiranë nuk u ndal te molotovët, përplasjet me Policinë dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore. Në një tjetër front, shënjestër u bënë bankat, institucionet financiare dhe bizneset private. Xhama të thyer, dyer të shqyera, ambiente të shkatërruara dhe mallra të marra nga dyqanet. Pamjet filmike të publikuara gjatë këtyre ditëve dhe rastet e evidentuara nga Policia ngrenë dyshimin se kaosi i krijuar nga protesta u shfrytëzua edhe nga persona që synonin të përfitonin materialisht, duke e kthyer rrëmujën në një mundësi për vjedhje e plaçkitje.
Më 13 tetor, gjatë protestës në Tiranë, u raportuan dëmtime të rënda në një institucion financiar, përfshirë dëmtimin e ambienteve dhe tentativën për të marrë para nga bankomati. Në ditët pasuese, pamje të publikuara në media treguan persona që hynin në biznese private, përfshirë dyqane veshjesh dhe celularësh, dhe largoheshin me mallra. Këto nuk janë më thjesht episode përplasjeje mes protestuesve dhe Policisë. Ato ngrenë një tjetër çështje, atë të shfrytëzimit të një situate të tensionuar për të kryer vepra penale
Nëse një pjesë e personave u përfshi në përplasje me Policinë, pamjet e grabitjeve ngrenë dyshimin se të tjerë mund ta kenë përdorur kaosin si mbulesë për të sulmuar biznese dhe për të marrë mallra apo para. Për këtë arsye, hetimi duhet të shkojë përtej numrit të të arrestuarve dhe të përcaktojë se kush shfaqet në pamjet filmike, çfarë ka marrë pjesë në secilin episod dhe cilat prova mund ta lidhin me veprën konkrete.
Sepse e drejta për të protestuar nuk mund të ngatërrohet me të drejtën për të shkatërruar apo përvetësuar pronën e tjetrit. Kur protesta shndërrohet në plaçkitje, nuk dëmtohen vetëm bizneset dhe pronarët e tyre, por edhe siguria e qytetarëve dhe vetë kuptimi i protestës paqësore. Pyetja nuk është vetëm kush i vuri flakën institucioneve, por edhe kush përfitoi nga kaosi dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për vjedhjet e shkatërrimet.
Pasojat e dhunës u ndien edhe përtej fasadave të thyera dhe ambienteve të shkatërruara. Gjatë disa ditëve të protestës, mbi 15 filiale bankash u raportuan të dëmtuara, ndërsa shumë prej tyre ndërprenë përkohësisht shërbimin. Njëkohësisht, dhjetëra biznese private, nga dyqanet dhe lokalet te subjektet tregtare në zonat e prekura, ulën qepenat dhe mbyllën dyert, nga frika se mund të sulmoheshin, digjeshin apo plaçkiteshin. Disa biznese mbuluan vitrinat, të tjera boshatisën ekspozitat dhe vendosën mesazhe ku u kërkonin protestuesve të mos i dëmtonin.
Kështu, dhuna nuk solli vetëm kosto për pronarët e bizneseve, por ndërpreu edhe shërbime që qytetarët përdorin çdo ditë për të tërhequr para, për të kryer pagesa apo për të blerë produkte e shërbime. Banka e Shqipërisë sqaroi më 19 tetor se në disa filiale pati ndërprerje të përkohshme të shërbimeve për arsye sigurie, duke theksuar njëkohësisht se depozitat dhe kursimet e qytetarëve mbeteshin të sigurta.
Në këtë pikë, pasojat e protestës dalin përtej përplasjes mes protestuesve dhe Policisë. Qytetarët përballen me shërbime të kufizuara, bizneset detyrohen të mbyllen dhe punonjësit rrezikojnë vendet e tyre të punës. Kjo është kostoja që duhet të dokumentohet krahas rasteve të plaçkitjes dhe shkatërrimit, duke dalluar dëmet e konfirmuara nga vlerësimet paraprake dhe duke identifikuar personat përgjegjës mbi bazën e provave.
Një listë me dhjetëra emra mund të jetë pikënisje për një hetim, por nuk është, në vetvete, përgjigjja për atë që ndodhi në rrugët e Tiranës.
Të dhënat e Policisë përmbajnë referime për vepra të ndryshme penale, dënime të mëparshme dhe procedime që duhen verifikuar një për një. Disa prej rasteve mund të ngrenë pyetje serioze për të kaluarën e personave të përfshirë.
Nga ana tjetër, asnjë debat politik dhe asnjë pakënaqësi qytetare nuk mund të justifikojë shkatërrimin e pronës publike, sulmin ndaj punonjësve të policisë apo vënien në rrezik të institucioneve. Kur zjarri prek Ministrinë e Drejtësisë, Komisariatin Nr. 3, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit, pasojat nuk mbeten vetëm në muret e ndërtesave. Ato mund të prekin punën e institucioneve, dokumentacionin gjyqësor dhe qytetarët që presin një vendim për çështjet e tyre.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi mes një proteste të ligjshme dhe akteve që kërkojnë përgjegjësi penale. E drejta për të protestuar duhet mbrojtur. Dhuna duhet hetuar. Autorët duhet identifikuar mbi bazën e provave. Ndërsa institucionet duhet të japin llogari për mënyrën se si i hetojnë ngjarjet dhe si mbrojnë sigurinë publike.
Hetimi nuk përfundon te pyetja se kush janë personat e arrestuar. Ai duhet të shkojë më tej. Kush kreu secilin akt, çfarë provash ekzistojnë, a ka pasur bashkërendim dhe si do të sigurohet që përgjegjësia të mos mbetet vetëm te emrat e publikuar, por të mbështetet në fakte të provuara.
Sepse kur protestat përfundojnë me flakë në institucionet e drejtësisë, shteti vihet përballë një prove të dyfishtë: Të zbulojë dhe të ndëshkojë dhunën, por edhe të garantojë që drejtësia të bëhet me ligj.


