“Njerëzit dalin në rrugë për të sulmuar policinë dhe shtetin”, kështu u shpreh analisti Frrok Çupi në një intervistë në “News Line” në ABC News.
Gjatë intervistës, Çupi bëri dallimin mes të rinjve që, sipas tij, mund të përfshihen në akte dhune pa e kuptuar plotësisht rëndësinë e veprimeve të tyre dhe personave që ai i cilësoi si nxitës të dhunës.
Analisti përdori tone të ashpra ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin e akuzoi për përgjegjësi në nxitjen e dhunës politike në Shqipëri.
Ai kërkoi gjithashtu që të hetohen ato që i përshkroi si burime të organizimit të dhunës, duke argumentuar se përgjegjësit duhet të marrin ndëshkimin e parashikuar nga ligji.
“Shteti vjen me një paketë ligjore që i përshtatet kohës si material dhe kohës që po imponohet shteti. Dhe në një njëjtën kohë është edhe përkujdesja e njeriut që do të protestojë. Sigurisht e tëra nëse vëmë re, gjatë gjithë periudhës së protestës kemi pasur fenomenin njeri dhe fenomenin anti-njeri. Mund të jenë edhe disa gjimnazistë që pa e ditur se ç’bëjnë dalin dhe sulmojnë…Fenomeni tjetër është zjarrvënësi, antifa e krijuar e futur thellë në politikën shqiptare. Janë njerëzit e dhunshëm.
Është koha si në Romën e lashtë të shpallim zjarrvënësin, zjarrvënësi shqiptar është Sali Berisha. Dihet të mos përmendet më emri Berisha në Shqipëri. Njerëzit e dhunë që vijnë që nga ’97 të mund të neutralizohen. Sa kohë dihet çerdhja e dhunës duhet më çdo kusht të zbulohet dhe të shkojnë njerëzit në ndëshkimet që kanë”, tha ai.


