Sindikata bën bamirësi, por kur do i mbrojë futbollistët?

schedule20:36 - 9 Janar, 2020

schedule 20:36 - 9 Janar, 2020

Krijimi i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë u pa si një hap pozitiv në fillim, por kur sheh veprimtarinë e saj nuk është se të jep shumë shpresa se për “hallexhinjtë” e Superiores dhe ato të kategorive të tjera të futbollit shqiptar do të ketë zgjidhje të problemeve emergjente.

Kur ka disa muaj që kjo Sindikatë ushtron aktivitetin e saj, i vetmi debat i bërë është ai që lidhet me statutin e sportistit. Kreu i SFPSH, Andi Lila, në një lidhje direkte me emisionin “Pressing” në ABC News, pati një përplasje me deputetin e Partisë Socialiste, Fidel Yllin.

Kohë më parë në parlament është miratuar një ligj për sportistët elitarë, të cilët përfitojnë në bazë të arritjeve ndërkombëtare. Futbolli në njëfarë mënyre është i përjashtuar nga ai ligj, pasi një vend si ne zor të arrijë të dalë në treshen e parë të Europës, apo të Botës.

Lila kërkon që sportistët, të cilët ndër vite janë paguar në të zezë, të kenë një status të veçantë. Dita kur futbollistët do e përfitojnë diçka të tillë është e largët. Sikurse dihet, deri më tani qeveria ende nuk ka miratuar as Paketën e re Ligjore, që ndihmon sportin përmes lehtësirave fiskale të ndryshme. Miratimi i një statusi special për sportistët dhe artistët, me shumë mundësi konsiderohet një luks.

SHOW DHE ASNJË REAGIM – SFPSH së fundmi ka rënë pre e akuzave të shumta. E gjitha pas një aktiviteti që bëhet për t’u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Shumë figura të kombëtares janë lënë jashtë liste dhe ai që e ka ngritur zërin më së shumti ka qenë Rudi Vata.

Shkodrani, ish-kapiten i kombëtares, i ka konsideruar qokaxhinj ato që kanë bërë listën. Të pakënaqur janë edhe të tjerë, që do kishin pasur dashur të kishin qenë në fushë në një aktivitet të tillë, ku marrin pjesë edhe ish-lojtarë të Italisë kampione botë, Turqisë së renditur në vendin e tretë në Botëror dhe Greqisë kampione Europe.

Sigurisht Lila dhe SFPSH duhen përgëzuar për iniciativën dhe dëshirën e mirë për të ndihmuar bashkëkombësit tanë, por a është ky qëllimi i organizimit të Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë? Jo. Lila e di mirë, sikurse e dinë edhe anëtarët e tjerë.

Nesër do të jetë një ditë “show” dhe normalisht çdo sportdashës dhe qytetar i këtij vendi do ishte mirë që të jepte kontributin e tij për të prekurit nga tërmeti, sikurse SFPSH duhet të ngrejë zërin për të drejtat e futbollistëve, të cilët vijojnë të jenë të nëpërkëmbur nga klubet.

https://www.instagram.com/p/B2KuEkLBoP-/?utm_source=ig_web_copy_link

Dihet publikisht që te Flamurtari lojtarët nuk janë paguar, dihet gjithashtu që edhe te Luftëtari ka një problem pagesash, sikurse edhe te Skënderbeu ku puna ka arritur deri aty sa futbollistët kanë bojkotuar. Reagimi i SFPSH? Zero. Nëse Erion Braçe do kishte bërë ndonjë status, edhe mund të kishte pasur ndonjë reagim.

Sindikata duhet të zgjohet, të reagojë dhe të punojë në funksion të objektivave që ka. Pas shfaqjes së ditës së nesërme, do duhet që vëmendja të kthehet te futbolli, te krijimi i institucionit të lojtarit, që në FSHF-në mbështetëse të Ndeshjes së Solidaritetit nëpërkëmbet.

Ndoshta Lila dhe lojtarët duhet që së pari të bëjnë një propozim, që për të hedhur në gjyq një klub që nuk paguan prej muajsh, nuk duhet që në FSHF të paguhen 1 milion lek. Me çfarë të ardhurash ta paguajë lojtari pagesën e hapjes së gjyqit? Mos ndoshta edhe ata duhet të organizojnë ndonjë ndeshje bamirësie dhe t’i mbledhin ato para? Me siguri FSHF nuk e do mbështeste… /abcnews.al