Facebook duket se ka vendosur të mos ndërhyjë në reklamat politike dhe nuk do ta kufizojë mundësinë që ato t’iu drejtohen grupimeve të caktuara.
Ndërkohë në muajin nëntor rivali kryesor i Facebook, Google kishte vendosur që të bënte një kufizim të tillë por që nuk e vuri asnjëherë në praktikë, siç ka bërë rrjeti social Tëitter që prej muajit tetor që ka ndaluar reklamat politike.
Gjithashtu Facebook nuk do të kontrollojë faktet e paraqitura në këto reklama, megjithëse është përballur me presion për këtë çështje. Ndër të tjera në reagimin e saj të fundit kompania njoftoi se do të ketë mekanizma më transparentë që synojnë t’u japin më shumë kontroll përdoruesve për sasinë e reklamave politike që do të shohin dhe do ta bëjë më të lehtë “shfletimin” e katalogut të saj online të reklamave politike.
Këto masa nuk duket se do të qetësojnë kritikët, që gjenden madje edhe në radhët e vetë punonjësve të kompanisë Facebook, të cilët shprehen se Facebook-u ka pushtet të tepruar dhe kufizime jo të mjaftueshme për ndikimin që ka ndaj zgjedhjeve dhe vetë demokracisë.
Facebook ka këmbëngulur se nuk do të verifikojë faktet e paraqitura nga reklamat politike. Kritikët thonë se kjo u jep liçensën politikanëve të gënjejnë në reklama që nuk mund të monitorohen lehtë nga shikuesit.