Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vizituar Spitalin Universitar të Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues të lënduar gjatë protestave në Tiranë.
Përmes një mesazhi, ministrja shprehu mirënjohjen për ekipet mjekësore dhe infermierore, të cilat gjatë pesë ditëve të fundit kanë qenë në krye të detyrës pa ndërprerje, duke ofruar kujdes dhe ndihmë për të gjithë të lënduarit.
Spahiu vlerësoi angazhimin e personelit shëndetësor në përballimin e situatës, duke theksuar se ndihma mjekësore u është ofruar të gjithëve pa asnjë dallim.
“Mirënjohje për të gjitha ekipet mjekësore dhe infermierore, që gjatë këtyre pesë ditëve kanë qenë pa ndërprerje në krye të detyrës, duke ofruar kujdes dhe ndihmë mjekësore për çdo të lënduar, pa asnjë dallim. Shëndeti dhe jeta e çdo qytetari janë mbi gjithçka”, tha ajo.


