Defektet në sistemin e transmetimit të të dhënave kanë shkaktuar kufizime në hapësirën ajrore italiane, duke sjellë vonesa në fluturimet në disa vende të Evropës.**
Problemet prekin si fluturimet drejt dhe nga Italia, ashtu edhe avionët që kalojnë tranzit në hapësirën ajrore të vendit.
Sipas raportimeve, vështirësitë kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa autoritetet italiane dhe Eurocontrol kanë kufizuar përkohësisht kapacitetin e trafikut ajror për të menaxhuar situatën.
Pasojat pritet të ndihen edhe në aeroportet greke, ku mund të ketë vonesa në nisje dhe mbërritje. Për këtë arsye, linjat ajrore u kanë bërë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë oraret e fluturimeve dhe të informohen për ndryshimet e mundshme.
Sipas kompanisë italiane të kontrollit të trafikut ajror, Enav, gjatë natës janë konstatuar keqfunksionime në rrjetin e transmetimit të të dhënave që mbështet sistemet e kontrollit të trafikut ajror.
Fillimisht, operacionet vijuan përmes sistemeve rezervë, por rritja e trafikut në orët e mëngjesit e bëri të nevojshme vendosjen e kufizimeve. Që prej orës 06:00, autoritetet kanë ndërhyrë për të rregulluar flukset e trafikut dhe për të kufizuar përkohësisht numrin e avionëve që mund të operojnë në hapësirën ajrore italiane.
Enav ka bërë të ditur se masat janë marrë për të garantuar sigurinë e fluturimeve, duke sqaruar se deri më tani nuk ka shenja që problemi të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik apo sabotim.


