Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga “The Voice Kids” te 4 karriget e “The Voice of Germany”! Shqiptari 19-vjeçar që mahniti jurinë

schedule12:26 - 9 Tetor, 2026

schedule 12:26 - 9 Tetor, 2026

Një zë, një ëndërr dhe katër karrige të kthyera në një nga skenat më të njohura muzikore të Gjermanisë. Bjorn Shabanaga, 19-vjeçari shqiptar që po ndërton rrugëtimin e tij muzikor në Gjermani, tërhoqi vëmendjen në “The Voice of Germany” me interpretimin e këngës “Human Nature” të legjendës Michael Jackson. Performanca e tij bëri që të katër trajnerët të kthenin karriget, duke i dhënë të riut një moment që do ta mbajë mend gjatë.

Por pas këtij suksesi qëndrojnë vite pune, pasioni dhe një histori që nis shumë më herët, në fëmijërinë e tij në Tiranë. Bjorn e kishte përjetuar skenën që në moshë të vogël, kur mori pjesë në “The Voice Kids”, një eksperiencë që e ndihmoi të kuptonte se muzika nuk do të ishte thjesht një pasion kalimtar.

Pas shpërnguljes së familjes në Neuëied të Gjermanisë, ai vazhdoi të punonte për të zhvilluar talentin e tij, duke mësuar kryesisht në mënyrë autodidakte dhe duke kaluar orë të tëra duke ushtruar.
Gjyshja i dhuroi kitarën që do të bëhej një nga shoqërueset e tij më të rëndësishme. Më pas, performancat si muzikant rruge përgjatë lumit Rhine dhe këngët në evente të ndryshme e ndihmuan të fitonte përvojë dhe të lidhej me publikun.



Mes frymëzimeve të tij muzikore është Eric Clapton, nga videot e të cilit mësoi shumë për kitarën, ndërsa Michael Jackson mbetet një nga artistët që e kanë sfiduar dhe frymëzuar më shumë.
Të këndoje një këngë të Mbretit të Pop-it përpara një publiku që njeh çdo detaj të muzikës së tij ishte një sfidë e madhe. Por Bjorn nuk synonte të imitonte idhullin e tij, por ta interpretonte këngën përmes zërit dhe identitetit të vet artistik.

Edhe pse jeton në Gjermani, lidhja e tij me Shqipërinë mbetet e fortë. Ai kujton me dashuri artistët shqiptarë që kanë shoqëruar fëmijërinë e tij, nga Eranda Libohova te “3 Musketierët”. Përtej muzikës, Bjorn është në vitin e fundit të gjimnazit dhe merret me bilardo, tenis e volejboll, duke u përpjekur të ruajë ekuilibrin mes shkollës, sportit dhe ëndrrës artistike.

Katër karriget e kthyera janë një vlerësim i madh, por për 19-vjeçarin shqiptar ky është vetëm një kapitull i ri. Sepse, siç e thotë edhe vetë, muzika është virusi nga i cili nuk dëshiron të shërohet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!