Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vidhen 30 mijë shishe verë me vlerë rreth 5 milionë euro nga një kantinë prestigjioze italiane

schedule12:17 - 9 Tetor, 2026

schedule 12:17 - 9 Tetor, 2026

Hajdutët kanë vjedhur 30 mijë shishe verë, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 5 milionë eurosh (4,2 milionë paund), nga një kantinë prestigjioze italiane, raportojnë mediat italiane.

Marchesi Antinori, një nga kantinat më të mëdha të verës në pronësi familjare në Itali, bëri të ditur se vjedhja ndodhi të shtunën në ambientet e magazinimit në Toskanë, ndërsa kompania po përgatitej të dërgonte një ngarkesë me verë për klientët jashtë vendit.

Dyshohet se të paktën shtatë persona të maskuar çaktivizuan alarmet, fikën kamerat e sigurisë dhe përdorën pirunët ngritës të kompanisë për të ngarkuar në dy kamionë të mëdhenj verërat e saj më të çmuara: Tignanello, Solaia dhe Guado al Tasso, verëra të kuqe nga Toskana.



Renzo Cotarella, drejtor ekzekutiv i kompanisë, i tha gazetës Corriere della Sera se kjo ishte vjedhja më e madhe e këtij lloji e regjistruar ndonjëherë në Itali.

“Një vjedhje e përmasave dhe e vlerës së tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Itali”, u shpreh ai.

Cotarella shtoi se shpresonte që autoritetet të arrinin të gjurmonin verën e vjedhur.

“Dy kamionë të mbushur me mallra nuk mund të zhduken thjesht pa lënë gjurmë. Rrugët e Toskanës janë të mbushura me kamera; ndoshta, me pak fat, do të arrijmë të rikuperojmë të paktën një pjesë të shisheve që na janë vjedhur”, tha ai.

Në një prononcim për Financial Times, ai u shpreh: Këto verëra kanë një vlerë të madhe dhe nuk e di se si mund ta shesin gjithë këtë sasi vere në mbarë botën pa u vënë re.

Kompania beson se përzgjedhja e shisheve të vjedhura, të cilat zakonisht shiten me çmime nga 150 deri në 500 euro secila, tregon se autorët ishin njohës të verërave dhe kishin informacione të brendshme për kantinën.

Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit mbërritën në ambientet e magazinimit. Deri më tani, nuk është bërë asnjë arrestim.

Marchesi Antinori u themelua në vitin 1385 dhe eksporton verërat e saj në 170 vende të botës. Vitin e kaluar, kompania regjistroi të ardhura prej 263 milionë eurosh (223 milionë paund).

Gjatë këtij viti, në Itali janë regjistruar një sërë vjedhjesh të verërave. Mes tyre janë edhe dy raste në rajonin verior të Piemontes, ku, sipas raportimeve, u vodhën shishe me vlerë prej qindra mijëra eurosh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!